Rama ironizon protestën: Nuk po lufton Manza me Sukthin, por dy superfuqi

Siç ndodh në çdo protestë, Edi Rama është arratisur nga Tirana.

Këtë të shtunë, ai është larguar nga Tirana dhe po zhvillon një takim me fermerë të përzgjedhur, të cilëve po ju thotë se qeveria e tij ka dhënë 500 milionë lekë për naftë pa taksa.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se vendi deri tani është përballur me sfida të mëdha, si tërmeti, pandemi dhe tani po vuan pasojat e një lufte mes dy fuqive të mëdha.

Ai gjithashtu theksoi se kostot janë rritur për shkak të krizës.

‘Ndërkohë që ne bëjmë planet askush nuk i ka në dorë ngjarjet,. Ne përpiqemi që me planet tona të ecim më shpejt, por vjen tërmeti, pandemia dhe sikur të mos mjaftonin këto kemi taksiratin e pasoja që sjell lufta. Edhe Australia vuan pasoja te luftës që nuk ka fare lidhje, por rriten çmimet për shkak se ka luftë në Ukrainë.  

Nuk ka hyrë në luftë Sukthi me Manzën, por një fuqi e madhe tregtare dhe një nga prodhueset kryesore të drithërave, siç është Ukraina. Janë dy forca, por edhe dy tregje që kanë çoroditur dynjanë. Sot në Shqipëri ka ndalur pjesa më e madhe e investimeve sepse hekur është rritur dyfish, kontratat tona për tunelin e Llogarasë dhe investime të tera janë me çmimin e hekurit tre herë më pak dhe tani na thonë ne nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë kontratën që për një forcë madhore ka ndodhur kjo.

Tani ça duhet të bëjmë ne, të shtojmë financat apo të presim deri sa të mbarojë kjo. Por shumë njerëz thonë lërini mo investimet, po kjo është e vështirë sepse duke hequr ato investime nuk ka rritje ekonomike. Ekonominë në një familje e rrit puna, nuk e rrit qëndrimi në shtëpi. Dilni ju shkoni punoni tokën, dalin gratë punojnë shkojnë fëmijët në shkollë dhe kështu vijojnë, Nëse ne nuk fusim nga në anë si do të nxjerrim nga ana tjetër.

Ajo që po bëjmë ne asnjë vend nuk e ka bërë. Franca pashë që ka bërë një kompensim por jo të plotë, ne po bëjmë kompensim të plotë me faturën e energjisë. Nga taksat e naftës goditen ata që kanë vetura, por ata që kanë vetura kanë më shumë lekët, po ashtu goditen ato që marrin autobusin, por për ata do të ndërhyjmë ne’, - tha Rama.