Superiore/ Sfidat që do të luhen sot, spikat derbi Tirana - Dinamo
Java e 26 ngre siparin ditën e sotme ku do të luhen tre ndeshje, të ndara në dy fasha orare.
Në orën 13:45, në Rrogozhinë, do të luhet ndeshja mes Egnatias dhe Vllaznisë.
Shkodranët po kalojnë një ndër momentet më të këqija në kampionat. Humbja në “Klasiken” e futbollit shqiptar me Tiranën ishte fatale për Tomas Brdariç me trajnerin që u largua nga ekipi.
Megjithatë shkodranët nuk duhet të shpërqendrohen pasi pozitat në kampionat kanë filluar të lëkunden dhe kundërshtarët janë afër në renditje.
Në të njëjtën orë luhet dhe Kastrioti-Partizani me vendasit që po kalojnë një formë shumë të mirë, ndërsa Partizani vuan ende barazimin me Egnatian. Një ndeshje që pritet të jetë shumë e fortë, duke ditur që krutanët në stadiumin e tyre përbëjnë problem për çdo ekip.
Në orën 16:45 luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranën dhe Dinamos. Ekipi i Orges Shehit është me një dorë tek titulli kampion dhe duket se askush nuk do t’i ndal dot.
Dinamo nga ana tjetër është në krizë rezultatesh dhe ”lundron” në pjesën e poshtme të tabelës, ku rrezikon rënien nga kategoria. Ndoshta ardhja e trajnerit të ri mund të sjellë një frymë të re në ekip.