Kthesa totalitare e Putinit

'Vladimir Putin nuk mund ta ketë gabim.'

E që këtu nis përpjekja e dëshpëruar, e ngjashme me autoritarizma të tjerë personalë, për të gjetur koka turku, sepse monarku është i pagabueshëm, ndaj çdo gjë që shkon keq është faji i dikujt tjetër, ose sepse e kanë udhëzuar gabim shefin ose thjesht kanë dështuar në zbatimin e urdhrave. Veçanërisht alarmuese është kur faji bie mbi gjithë vendin kur nuk arrin të jetojë me nocionin që ka shefi për fatin e tij.

Gjeneral Kolonel Sergei Beseda, kreu i Shërbimit të pestë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) thuhet se është në arrest shtëpie, i akuzuar për përvetësim fondesh që ishin caktuar për destabilizimin e Ukrainës. Megjithatë, Beseda njihej si një nga figurat kryesore që dihet se iu është kundërvënë pikëpamjeve të çuditshme të Putinit për ukrainasit. Supozimi në masë është se ai po fajësohet për gabimet e rënda strategjike që kanë dëmtuar invazionin rus.

Ndoshta mund të mos arrijmë deri aty sa të derdhim lot për Besedën, por për të qenë të sinqertë, çfarë tjetër mund të bënte? Prej vitesh është bërë e qartë se Putin është bërë intolerant karshi perspektivave alternative dhe pret që njerëzit t’i thonë atë që ai dëshiron të dëgjojë, jo atë që duhet të dëgjojë.

Rënia e Besedës me shumë gjasa është vetëm fillimi i avazit të rrëzimeve që pason çdo debakël. Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu ende duket se po përpiqet të mbajë një aparencë pozitive, duke thënë se gjithçka po shkon sipas planit. Komandanti i Gardës Kombëtare, Viktor Zolotov, deklaron se ushtarët e poshtër ukrainas fshihen pas civilëve. FSB shpreson se sakrifikimi i Besedës do të mjaftojë.

Në të njëjtën kohë, nga komforti i pallateve të tij, Putin duket që po bëhet i padurueshëm me vetë rusët që nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë të ardhmen e tyre për vizionin e tij të Rusisë së madhe.

Dje, në një videokonferencë me ministrat, Putin sulmoi të ashtuquajturën ‘kolonë e pestë, tradhtarët që fitojnë pará këtu me ne por jetojnë andej. Jetojnë, jo në kuptimin gjeografik, por në kuptimin që e kanë mendjen gjetkë, me mendësinë e tyre servile’.

Zakonisht, ky është preludi i sulmit mbi klasën e mesme, liberale, kozmopolitane të qyteteve të mëdha, e cila ka qenë gjemb në këmbë për të. Megjithatë, ai e bëri të qartë se objektivat e sulmit të tij ishin më tepër ekstravagantë:

‘Nuk po gjykoj aspak ata që kanë vila në Miami apo rivierën franceze, që nuk mund të bëjnë pa foie gras, midhje, apo të ashtuquajturën liri gjinore. Problemi nuk është absolutisht ky, por... që shumë nga këta njerëz, nga vetë natyra e tyre, janë mendërisht andej dhe jo këtu, jo me popullin tonë, jo me Rusinë’.

Për mendimin e tij, këta njerëz besojnë se i përkasin një ‘kaste më të lartë, një race superiore’. Por kjo nuk i bën të mos luajnë pjesën e tyre në luftën aktuale. Në fund të fundit, ‘populli rus gjithmonë do të dijë të dallojë patriotët e vërtetë nga llumi dhe tradhtarët e t’i pështyjë jashtë njësoj si një mizë që iu hyn aksidentalisht në gojë’.

Edhe oligarkët e minigarkët janë paralajmëruar. Kur u bë president për herë të parë, më 2000, Putin iu ofroi një marrëveshje: mund ta mbanin pasurinë nëse do të qëndronin jashtë politikës (Mihail Khodorkovski, atëherë njeriu më i pasur i Rusisë, e pagoi çmimin, për shembull). Tani po shkon edhe më tej, duke kërkuar jo thjesht bindjen, por besnikërinë aktive të tyre.

Kaq e pati edhe shpresa se sanksionet e imponuara mbi oligarkët jashtë vendit do të bënte që ata të ushtronin presion mbi Putinin në Rusi: të përballur me dorëzimin e një jahti këtu e të një vile atje, apo të jetës e të lirisë, zgjedhja që Putin po iu imponon është fare e qartë.

Ky është një hap drejt totalitarizmit, me gjithë rusët, të pasur a të varfër, që po vihen para zgjedhjes: je pro apo kundër Putin? Nuk ka më vend për asnjanësi apo opozitë besnike, paralajmërime apo shqetësime. Përndryshe? Përndryshe ajo që ai e quan rrëqethshëm ‘vetëpastrim natyral e i domosdoshëm i shoqërisë’, që ai beson se ‘vetëm do ta fuqizojë vendin tonë, solidaritetin, kohezionin dhe gatishmërinë tonë për t’u përballur me çdo sfidë’.

Sigurisht, një tjetër fjalë për pastrimin është ‘heqje qafe’.

*Profesor Mark Galeotti është autor i 24 librave për Rusinë. I fundit është ‘Një histori e shkurtër e Rusisë’ (2021).