Nuk ndalet agresioni, rusët sulmojnë civilët ukrainas gjatë evakuimit

Një autokolonë evakuimi nga qyteti Enerhodar u sulmua nga trupat ruse teksa po udhëtonte drejt qytetit të Zaporizhzhia, thonë autoritetet ukrainase.

Kolona përbëhej prej më shumë se 70 automjetesh dhe u nis rreth orës 11:00 të paradites së sotme, tha kryetari i bashkisë së Enerhodarit, Dmytro Orlov.

Por pesë orë më vonë, kolona u godit nga zjarri i artilerisë ndërsa kalonte pranë qytetit të Stepnohirsk.

"Artileria e forcave armike qëlloi mbi një kolonë civilësh pranë Stepnohirsk që lëvizte përgjatë autostradës drejt Zaporizhzhia," informoi Oleksandr Starukh, kreu i administratës së rajonit të Zaporizhzhia, në kanalin e tij Telegram. "Nuk ka të vdekur. Aktualisht dihet se janë pesë të plagosur, duke përfshirë një fëmijë në gjendje të rëndë."

Ai shtoi: "Aktualisht, fëmija i plagosur po i nënshtrohet një operacioni të vështirë. Një zjarr shpërtheu përgjatë rrugës si pasojë e granatimeve nga ushtria ruse".

Enerhodari u pushtua nga rusët më 4 mars.

Gjithashtu, trupat ruse mbajnë të pushtuar edhe stacionin bërthamor të Zaporizhzhia, aty pranë.