Orë ankthi: Pas 6 vjetësh, Irani lejon britaniken 'komplotiste' të kthehet në Angli

Nazanin Zaghari-Ratcliffe, gruaja britaniko-iraniane e arrestuar në Iran gati gjashtë vjet më parë, është rrugës për në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë deputetja e saj.

Zonja Zaghari-Ratcliffe ishte në aeroportin e Teheranit, tha politikania britanike Tulip Siddiq për BBC News.

Ajo ishte futur në një dhomë pritjeje me kolegun e saj britanik-iranian, Anosheh Ashoori.

Zonja Zaghari-Ratcliffe u arrestua në vitin 2016 - e akuzuar për komplot për të rrëzuar qeverinë e Iranit, gjë që ajo e mohoi.

Kurse Ashoori u arrestua në vitin 2017 dhe u akuzua për spiunazh, një pretendim që edhe ai e mohoi.

Në foto: Anosheh Ashoori me gruan e tij Sherry Izadi

Zonja Zaghari-Ratcliffe kishte qenë në arrest shtëpiak dhe iu kthye pasaporta e saj në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.

Burri i saj Richard Ratcliffe, i cili jeton me vajzën e tyre gjashtëvjeçare Gabriella në Hampstead në Londër, nuk ka komentuar ende. Ai kishte bërë fushatë për lirimin e saj, duke përfshirë edhe grevën e urisë në tetor të vitit të kaluar.

Zonja Siddiq, deputete e laburistëve për Hampstead dhe Kilburn, i tha BBC News se ajo kishte folur me zotin Ratcliffe.

Zonja Zaghari-Ratcliffe ishte në aeroport me pasaportën në dorë, tha ajo, por "nën kontrollin e Gardës Revolucionare Iiraniane".

Politikania tha se një marrëveshje për të siguruar lirinë e saj nuk ishte "përfunduar ende". "Unë nuk do të ndalem derisa ajo të jetë në tokën britanike, në West Hampstead, në shtëpinë e saj," shtoi ajo.

Kunata e zonjës Zaghari-Ratcliffe, Rebecca Ratcliffe tha për BBC News se ishte një "ditë emocionuese". “Ndjehet sikur është rrugës për në atdhe, por derisa ajo të dalë nga ai aeroport nuk mund ta besojmë”, tha ajo, duke shtuar se kishte folur edhe me zotin Ratcliffe.

Ajo tha se zonja Zaghari-Ratcliffe ishte marrë dhe dërguar në aeroport bashkë me prindërit e saj, të cilët nuk u lejuan në një dhomë pritjeje bashkë me të sepse ajo ishte "ende nën kontrollin iranian në aeroport".

"Ajo nuk është ende e lirë. Por definitivisht ndjehet sikur është gati," tha ajo.

Më herët, deputetja Siddiq tha se zonja Zaghari-Ratcliffe kishte "ëndërruar" për ditën që ajo mund të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe mediat iraniane raportojnë gjithashtu se ajo ishte dërguar në aeroport.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss i tha BBC se sigurimi i lirisë së saj dhe liria e të burgosurve të tjerë me shtetësi të dyfishtë - si Ashoori dhe Morad Tahbaz - ishte "një prioritet absolut".

Një borxh prej 400 milion paundësh në lidhje me një porosi të anuluar për 1,500 tanke Chieftain, që daton në vitet 1970, kishte qënë i lidhur me ndalimin e vazhdueshëm të zonjës Zaghari-Ratcliffe dhe shtetasve të tjerë me nënshtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane që mbaheshin - megjithëse qeveria britanike kishte thënë më parë të dy çështjet nuk duhet të lidheshin bashkë.

Zonja Truss i tha BBC-së të mërkurën se borxhi ishte "legjitim" dhe se qeveria "po kërkonte mënyra për ta paguar".

Udhëheqësi i laburistëve Sir Keir Starmer tha se ishte "një moment i jashtëzakonshëm" për zonjën Zaghari-Ratcliffe dhe familjen e saj pas një "sprove të paimagjinueshme".

Ai shtoi se do të kishte pyetje për t'u përgjigjur se çfarë ndodhi gjatë rrugës, por aktualisht mendimet e tij ishin me familjen.

Nazanin me vajzën e saj
I shoqi me vajzën
 
Nazanin ishte me foshnjen e saj për vizitë në Iran kur u arrestua