Arrestimet masive për korrupsion, ia kthejnë pak 'çehren' qeverisë së Albin Kurtit

Aksioni i gjerë për arrestimin e policëve të dyshuar për korrupsion, ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë. Dhjetëra policë janë në listën e të kërkuarve nga drejtësia.

Komandanti i policisë kufitare në pikën Qafë Morinë, Ramiz Ahmeti, dhe ai i pikës kufitare në Qafë Prush, Xhavit Lokaj, janë në mesin e 50 të arrestuarve gjatë operacionit “Pika”.

Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i prokurorisë speciale, Blerim Isufaj, që është edhe kandidat për kryeprokuror të shtetit.

Aksioni është duke vazhduar ende, ndërkohë të arrestuarit janë duke u dërguar në Prishtinë, në Inspektoratin Policor.

Ky operacion i IPK-së i koduar me emrin “Pika” është duke u përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Edhe kritikë të qeverisë së Kurtit, kanë shprehur vlerësime pozitive për vullnetin e pushtetit aktual kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, ka edhe vlerësime, që e ndërlidhin aksionin me garën e fortë për udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit, shkruan Syri.net Kosova.

Kush e vjedh shtetin, e ka vendin në Dyz

Analisti Blerim Latifi thotë se qeverisë Kurti, duhet t’i njihen meritat e veçanta në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Sot paska filluar një goditje e madhe e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës. Mbi 40 zyrtarë policorë, përfshi komandantë të pikave doganore, qenkan prangosur. Aksioni qenka duke vazhduar.”, u shpreh ai në një postim.  

“Ne mund ta kritikojmë qeverinë e Kurtit për shumë gjëra që i ka bërë keq gjatë një viti, por njëkohësisht duhet t'ia njohim meritën se në luftën kundër krimit të organizuar brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, është duke bërë një punë që se ka bërë asnjë qeveri më parë.”, vijon më tej vlerësimi i Latifiit.

“Kush e vjedh shtetin duhet me përfundu në Dyz dhe Dubravë! S'ka formulë tjetër nëse duam që përnjëmend me pasë shtet.”, potencon ai.

Matoshi komplmenton Kurtin

Edhe publicisti Hali Matoshi, nuk ka hezituar të japë një kompliment për qeverinë e Albin Kurtit, të cilin ai e kritikon ashpër vazhdimisht.  
“Nji Kosovë që e duem të gjithë!

Të dyshuemit për krim të organizuem (policë kufitarë e doganierë) janë arrestu me urdhën të Prokurorisë, e jo nga Qeveria (pushtetet janë të ndame në demokraci) por Qeveria âsht meritore që ka vullnet politik dhe e ka kriju klimën e përshtatshme për goditjën e krimit dhe korrupsionit!”, ka shkruar Matoshi në llogarinë e tij në Facebook.

“Natyrisht pa e harru prezumimin e pafajësisë për të arrestuemit, Qeveria Kurti meriton një duartrokitje! “, konstaton më tutje Matoshi.

Dyshimet e avokatit kosovar, çka fshihet pas aksionit spektakolar?

Disa reagime erdhën edhe nga dy avokatë kosovarë.

Kujtim Kërveshi e ka ndxërlkidhur aksionin edhe me ndonjë prapaskenë të mundshme që lidhet me garën për kryeprokurorin e shtetit, që deri tash e ka mbajtur Aleksandër Lumezi.

“Nëse beteja për kryeprokuror të shtetit sjell resultate në hetime të mëdha, le të jetë ashtu, por, shpresoj se nuk e marrin në qafë dikë veç për të shitur resultatet që i shërben dikujt për të zënë vendin e kryeprokurorit!”, ka shkruar në një postim avokati Kërveshi.

Ndërsa acvokati Besnik Berisha ka potencuar se nuk ka ka vend per zhgenjim.

“Arrestimi i 48 zyrtareve policore te dyshuar per korrupsion nuk duhet asessi ta zbeh besimin tone ne punen dhe perkushtimin e mijera te tjereve qe ruajne rendin dhe qetesine ne shtetin tone.”, është shprehur ai në statusin e tij në rrjetet sociale.

“Mos harroni, ne Policine e Kosoves ka me mijera burra e gra qe bibel e kuran kane shtetin tone, kushtetuten dhe ligjet qe neve na mbrojne.

Prandaj mos u zhgenjeni, por vazhdoni te besoni ne Policine tone sepse ata jane qetesia dhe siguria jone!”, apelon Berisha.

Në Kosovë arrestohen policët e dyshuar për korrupsion, në Shqipëri qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit

Ndërkohë reagimeve iu është bashkuar edhe aktivisti i Vetëvendosjes Arbërt Zaimi, duke bërë një krahasim me situatën në Shqipërinë e udhëhequr nga Edi Rama në mandatin e tretë radhazi., ku protestat masive kanë shpërthyer për shkak të situatës së përkeqësuar ekonomike-sociale.

“Në Kosovë arrestohen policët e dyshuar për korrupsion, në Shqipëri arrestohen qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit.”, ka konstatuar Zaimi në postimin e tij.

Ky është aksioni më i madh që godet korrupsionin në radhët e policisë kosovare. Ende nuk janë bërë të ditur detaje nga krimet për të cilat dyshohen zyrtarët policorë që u arrestuan këtë të hënë.