Athinë: arrestohet banda e shqiptarëve që grabiste dyqanet, pjesë e saj edhe 3 femra 'profesioniste'

Athinë - Për 97 vjedhje në dyqane të ndryshme në Atikë, akuzohen anëtarët e një bande shqiptarësh, e cila u shkatërrua nga Nëndrejtoria e Sigurimit të Athinës.

Sipas Policisë greke, gjatë një operacioni të koordinuar kundër organizatës kriminale, janë arrestuar në Kamatero, Keratsini dhe Neo Faliro, dy shqiptarë të moshës 33 dhe 39 vjeç, si dhe tre gra, 25, 33 dhe 41 vjeç.

Njëkohësisht, të bashkakuzuar janë edhe dy persona të tjerë që janë në kërkim. Ndaj tyre është ngritur procedim për krijim të organizatës kriminale, vjedhje të vazhdueshme, mosbindje dhe shkelje të ligjit për parandalimin dhe pastrimin e parave si dhe të substancave narkotike.

Të pandehurit fillimisht kanë ndjekur lëvizjet e rojeve private, të dyqaneve të synuara dhe kanë përzgjedhur kohën e duhur për të kryer vjedhjen.

Pas marrjes së produkteve,  i vendosnin në çanta të projektuara posaçërisht, që nuk aktivizonin sistemet kundër vjedhjes në hyrje të dyqaneve.

Vihet re se për të minimizuar mundësinë e lokalizimit të tyre, ata janë kujdesur të ndryshojnë zonat ku qenë aktive dhe kanë shmangur “goditjen” për herë të dytë të të njëjtit dyqan.

Sipas Policisë greke, produktet e vjedhura fillimisht ruheshin në banesat e anëtarëve dhe më pas me masat përkatëse kundër vëzhgimit transportoheshin dhe ruheshin në një zonë që e përdornin ekskluzivisht për këtë qëllim.

Një pjesë e mallrave të vjedhura, të pandehurit ua shisnin drejtpërdrejt palëve të treta, ndërsa sasitë e tjera transportoheshin në Shqipëri  ku rishiteshin nëpërmjet një dyqani me pakicë, në pronësi të një anëtari të organizatës.

Nga hetimi para hetimor i deritanishëm janë hetuar 97 raste të vjedhjeve në dyqane në Atikë, ku përfitimi financiar i autorëve i kalon shumën 400 mijë euro.

Gjatë kontrolleve të policisë u zbuluan një sërë sendesh të vjedhura (veshje, pajisje elektronike), 3 çanta, të projektuara posaçërisht me veshje të brendshme që nuk aktivizonin sistemet kundër vjedhjes, një pajisje metalike për heqjen e mekanizmave kundër vjedhjes së produkteve.

Janë gjetur dhe konfiskuar 4 makinadhe shuma e parave prej 4545 euro.

Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës.