Elgit Doda nesër do të performojë në koncertin e Maluma-s

Koncerti i shumëpritur i Malumas në Tiranë do të mbahet nesër (14 mars) pasi u anulua dy herë paraprakisht, për shkak të pandemisë COVID-19.

Para performancës së yllit ndërkombëtar, në skenë do të ngjitet edhe këngëtari i njohur nga Shqipëria, Elgit Doda.

Këtë e ka konfirmuar vetë Elgiti përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram.

“Me ketë shokun tim shihemi më 14 mars te Sheshi Nënë Tereza” ka shkruar këngëtari në postim bashkangjitur me një video të artistit nga Kolumbia.

Ndërkohë, për të argëtuar fansat në shesh Nënë Tereza u tha se do të jetë e pranishme edhe Ronela Hajati, por ajo ende nuk ka një konfirmim saktësisht një gjë të tillë.

“Pra… ka mundësi që unë do të hap për koncertin e Malumas në Tiranë! Ndoshta, do të shohim”, kishte shkruar Ronela ditë më parë në një postim në Twitter.

Ndërkohë, artisti 28-vjeçar me famë botërore nisi turneun evropian “Papi Juancho” me një koncert në Zagreb të Kroacisë më 24 shkurt, ndërsa pas Tiranës ai do të vazhdojë performancën në Londër.