VIDEO-SYRI TV/ Studentët bashkohen me protestat kombëtare, duan ulje çmimesh për naftën

Rritja e çmimeve ka shkaktuar revoltë të qytetarët në të gjitha qarqet e vendit. Revoltës kundër tyre, i janë bashkuar edhe studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës të cilët kanë marshuar drejt qendrës së kryeqytetit. Studentët paralajmërojnë se do të jenë të pranishëm edhe në protestën e madhe të ditës së shtunë e cila do të mbahet në orën 17 para kryeministrisë.

Nga SYRI TV

Protestave në mbarë vendin kundër rritjes së çmimit të naftës, u janë bashkuar edhe studentët. Me pankarta në duar, e me thirrjet “Shqipëria është e shqiptarëve jo e pushtetarëve”, të rinjtë e Universitetit Bujqësor të Tiranës, marshuan nga Kamza drejt Ministrisë së Arsimit, për tu ndalur më pas në destinacionin final sheshin ‘Skënderbej’.

 Gjatë marshimit ata bllokuan qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore.

Ndonëse protesta ishte paqësore, nuk mungoi përplasja me policinë, e cila u përpoq të shpërndante protestuesit.

Studentët i bën thirrje uniformave blu tu bashkohen protestës, pasi rritja e çmimit të naftës, e për rrjedhoje edhe e produkteve të shportës, i prek dhe ata si të gjithë shqiptarët.

Paralelisht me studentët e UBT, edhe studentët e Korçës bojkotuan mësimin për të protestuar. Ata marshuan rrugëve të qytetit, për tu ndalur në Fakultetin e ekonomisë. Rritja e çmimit të naftës i prek drejtpërdrejtë për shkak të rritjes së çmimit të transportit.

Një ditë më parë, kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të ushqimeve, protestuan edhe studentët e universitetit të Shkodrës.