Rikthehet 'South Outdoor Festival', festivali i aktiviteteve në natyrë që promovon Rivierën e Shqipërisë

Rikthehet “South Outdoor Festival”, festivali pesë ditor i veprimtarive që zhvillohen në natyrë.

Borshi do të kthehet në kryeqendrën e organizimeve të shumta nisur me sportet, muzikën e kulinarinë, me po të njëjtin qëllim të çdoviti për të promovuar Jugun e Shqipërisë.   

Nga Syri Tv

“South Outdoor Festival”, festa e aktiviteteve që zhvillohen në natyrë do të mbahet nga data 29 prill-3 maj në Borsh, duke çelur kështu siparin e sezonit të ri turistik. 

Gjatë veprimtarisë pesë ditore festivali, që rrok sportet, kulturën, traditën, muzikën e kulinarinë fton pjesëmarrës shqiptarë dhe të të gjitha vendeve të Evropës, që të bëhen pjesë e këtij organizimi për të konkurruar e  për të shijuar dhe përjetuar veçantinë që ofron Riviera e bukur e Shqipërisë.

Festivali i naturës në jug përmes dinamikës së veprimtarive synon ta shndërrojë Shqipërinë e Jugut në një destinacion ndërkombëtar të turizmit.

Artistët më në zë të tregut muzikor shqiptar dhe atij ndërkombëtar do të ngjiten në skenën e festivalit, ndërsa festivali premton ditënetë të paharrueshme.