Misioni i veçantë/ Njihuni me shqiptarin që udhëtoi drejt Kievit për të shpëtuar 19-vjeçaren

Esat Hamiti, kosovari nga Hajvalia, i cili prej disa dekadash jeton në Francë, gjatë këtyre ditëve ka pasur një mision të jashtëzakonshëm.

Esati dhe miku i tij francez, kanë dalë vullnetarë në qytetin e tyre, Sarreguemines, që të udhëtojnë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, që të shpëtojnë Alinën, një vajzë 19-vjeçare ukrainase e cila ishte bllokuar atje.

Përmes disa materialeve filmike Esati na ka prezatuar me një pjesë të shkurtër të udhëtimit të tij në Kiev.

Ata udhëtuan për 19 orë duke përshkruar 1500 kilometra rrugë vetëm për këtë mision. Barrikada dhe patrolla ushtarake gjithandej, mund të shihen në këtë rrugëtim.

Fatmirësisht, misioni i Esatit dhe mikut të tij është realizuar me sukses dhe tani të gjithë janë në zonë të sigurtë.

Në lidhje me skype për ‘Kafe Shqeto’ Esat Hamiti, kosovari që shpëtoi 19 vjeçaren në Kiev të Ukrainës tregoi më shumë në lidhje me këtë mision.

"Më ka thënë miku im në telefon që kanë një mision special për mua dhe më tregoi më gjerësisht, që bëhet fjalë për një shpëtim jete në Ukrainë dhe pranova.

Deri në Ukrainë shkuam shumë mirë, kur u futëm në kufi e kuptuam që na duhej ndihma e Zoitit, vazhduam tutje me pengesa dhe kishim shume pengesa dhe postblloqe. Kur arritëm në hyrje të Kievit situata ishte shumë e tensionuar, luftë, por nuk e kemi menduar vdekjen.

Deshëm ta bënim këtë punë dhe i shkuam deri në fund.

Në lidhje me momentin kur dyshja arriti të takohej me Alinën për t’u nisur më pas drejt Francës, Hamiti kujtoi:

Zona ku ishte vajza ishte zonë shumë e rrezikuar sepse ishte në fund të Kievit dhe ka bërë diku rreth 20 minuta derisa ka dalë nga vendi ku po strehohej dhe ishte shumë e traumatizuar. Më pas kur u kthyem pas kishte shumë bombardime, dhe e patëm të vështirë. Kemi bërë më shumë se 1000 km vetëm brenda Ukraine, sepse ndryshonim destinacionin e rrugëve për shkak të bombardimeve."