Këlliçi akuza Bashës: Mashtroi deputetët duke keqpërdorur Ambasadën Amerikane

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka hedhur akuza të forta ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se ky i fundit,  ka mashtruar deputetët në emër të Ambasadës Amerikane.

Në një intervistë për Ora News, Këlliçi shprehet se Basha u ka bërë presion deputetëve, duke i gënjyer dhe duke u dhënë sondazhe false, ndërsa shton se pre e këtij mashtrimi ka rënë edhe vetë.

Belind Këllliçi: Rruga e bashkimit nis duke larguar humbësin serial, i cili njëlloj si Edi Rama që thotë nuk kam rritur çmimet, thotë që nuk kam humbur asnjë betejë elektorale, ndërkohë që ka humbur 6 palë zgjedhje. Duke hedhur në koshin  e mbeturinave të historisë një model të shitjes së opozitës, të mashtrimit të deputetëve në emër të Ambasadës Amerikane,dhe të presionit të deputetëve duke i gënjyer duke u dhënë të dhëna false, sondazhe false, jo vetëm atyre por edhe komunitetit ndërkombëtar. Kjo ka ndodhur gjatë gjithë kohës, jam gënjyer sistematike, deri sa vendosaa që të mos jem pjesë e asaj farse.

Ai tha se faktorët politik në PD duhet të bashkohen, në mënyrë që të vendosin për rrugëtimin që do ndjekë forca e tyre politike.

Këlliçi theksoi se nëse PD do futet e përçarë në zgjedhjet lokale vitin tjetër do humbasë.

Belind Këlliçi: Më duket absurde që të vendosësh një shenjë barazie mes Lulzim Bashës që është një fraksion i pallogaritshëm  në opozitë dhe Sali Berishës, që pa parti, pas seli, pa logo, pa vulë sot ka 2/3 e kampit opozitar. E rëndësishme në gjykimin tim është të bëhet një garë e rregullt dhe të vendos vota e lirë. Do doja që me largimin e Bashës të mblidhen të gjithë faktorët politikë të PD për të vendosur një rrugëtim politik të kësaj force politike. Nëse jemi në këtë gjendje, s’do fitojmë kundër Ramës.