Qytetarët paralajmëruan përshkallëzimin e protestës, Policia e Shtetit: Do marrim masa për këdo që bllokon rrugët

Policia e Shtetit ka reaguar këtë mbrëmje në lidhje me protestën e qytetarëve para kryeministrisë të cilët më pas bllokuan rrugët kundër rritjes së çmimit të naftës.

Policia e Shtetit thotë se është në mbrojtje të çdo qytetari që proteston në mënyrë paqësore ndërsa kërcënon se do marrë masa ndaj çdokujt që bllokon rrugët.

Qytetarët kanë njoftuar se do të protestojnë çdo ditë kundër rritjes së çmimeve ndërsa të premten taksistët do të dalin me makina në bulevard.

Ditën e shtunë qytetarët kanë paralajmëruar një marshim masiv nga sheshi ‘Skënderbej’.

Njoftimi i Policisë
Nisur nga situata e krijuar sot, në disa rrugë, në të cilat pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëjmë me dije se:

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit, ashtu sikurse është e angazhuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte  dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve.