Sa pranë kolapsit është Rusia?

Nga Mary Dejevsky

Rusia tani është e mbyllur me botën po aq sa ishte Bashkimi Sovjetik para se Mihail Gorbaçov të bënte hapat e parë drejt glasnost-it, mbi 40 vjet më parë. Pothuajse i gjithë progresi që Rusia post-sovjetike bëri drejt bërjes një vend ‘normal’ është zhbërë brenda dy javëve. Trashëgimia e prezumuar e Vladimir Putinit – stabiliteti, parashikueshmëria dhe standardet shumë të përmirësuara të jetesës për shumicën e rusëve – po zbehet para syve të tyre.

Ditët e fundit, Netflix dhe TikTok iu bashkuan atij që tashmë është një bojkot masiv i Rusisë nga Perëndimi. American Express pasoi Barclaycard dhe Mastercard në largimin nga tregu rus. Supermarketet perëndimore po tërhiqen; zinxhirë mode të tillë si Zara e Mango janë mbyllur, dhe – ndoshta më emblematikja nga të gjitha – gjiganti suedez i mobilierisë dhe pajisjeve shtëpiake Ikea ka mbyllur dyert e 17 dyqaneve të tij në gjithë Rusinë.

Pothuajse të gjitha burimet e pavarura të lajmeve tashmë janë në kolaps. Hyrja në Twitter e Facebook është ndaluar. Edhe transmetuesit ndërkombëtarë Deutsche Welle dhe Radio Liberty u bllokuan javën e kaluar. BBC është kthyer në mënyrat e Luftës së Ftohtë, te valët e shkurtra, si mjet për përcjelljen e mesazhit te rusët.

Vetë transmetuesit më të njohur rusë, radioja Moscow Echo dhe televizioni TV Rain, janë mbyllur si përgjigje ndaj kufizimeve. Këto përshijnë ligjet e reja që penalizojnë përhapjen e informacionit të cilësuar si të dëmshëm për forcat e armatosura të Rusisë dhe ndalimin e termave si ‘pushtim’ e ‘luftë’. Edhe botuesi i Novaja Gazeta bëri të ditur ndalimin e shërbimit të lajmeve, por nuk do të ndalonte grumbullimin e informacionit:

‘Botuesi i parë pas lufte i Washington Post, Philip Graham, thoshte se lajmet janë drafti i parë i historisë. Ne, gjenerata e parë në Rusinë e Putinit, themi: Nuk mund ta lëmë këtë realitet rus pa të paktën disa skicime të historisë’.

Se kur do të jenë në gjendje të publikojnë sërish lirisht, ai nuk e di. Protestat në rrugë kundër luftës vazhdojnë, ashtu si dhe rrahjet e arrestimet. Mbi 4300 persona u ndaluan të shtunën, përfshirë 1700 në Moskë, sipas Ministrisë së Brendshme ruse. Grupet ruse të të drejtave të njeriut thonë se janë ndaluar njerëz në 53 qytete dhe se totali i të ndaluarve që nga fillimi i sulmit është mbi 10 mijë. Ku do të çojë e gjitha kjo?

Ashtu si me shumë gjëra për Rusinë sot, ka disa mënyra për të vlerësuar domethënien e asaj që po ndodh. Le të marrim protestat. Që çdokush vazhdon të protestojë, duke konsideruar arrestimin pothuajse të sigurt, dhe përhapja gjeografike e protestave, për mua, janë mbresëlënëse. Protestat politike në Rusi tentojnë të jenë të përqendruar në Moskë e Shën Petersburg; sot protestat anti-luftë po zhvillohen në qytete të mëdhenj e të vegjël në gjithë vendin, çka sugjeron se të paktën një pjesë e informacionit të padëshiruar nga autoritetet arrin të përcillet. Mund të pritej që të gjitha protestat të ishin shtypur deri tani, por kjo nuk ka ndodhur.

Megjithatë, rusët pro Kremlinit e madje edhe disa ukrainas thonë se numri i arrestimeve është i vogël duke pasur parasysh madhësinë e vendit. ‘Mjaft iu larguat së vërtetës se rusët që kundërshtojnë Putinin janë në pakicë absolute’, shkruante në Twitter Katerina Kruk, ukrainase, menaxhere për politikën publike në Facebook. ‘Shumica ose miraton ose injoron në heshtje, ose ndoshta nuk miraton por nuk është aq e fortë sa të veprojë’. Ky këndvështrim përforcohet edhe nga raportet nga rusët dhe ukrainas me të afërm në Rusi, të cilët, thonë, po e hanë versionin zyrtar të një operacioni të kufizuar ushtarak kundër nazistëve dhje janë në mohim për luftën që Rusia po bën në Ukrainë.

Kundër kësaj ka prova mosmiratimi në disa qarqe elite. Fëmijët e rritur të zyrtarëve të lartë, disa grupe profesionale dhe persona të famshëm, të tillë si doktorë e arkitektë, dhe disa oligarkë, influenca e të cilëve është shumë më e madhe se sa numri i tyre si individë. Është e mundur të shihet një farë mosmiratimi, ndonëse i vogël, edhe në Duma, parlamenti rus.

Ka pikëpamje të ngjashme të ndryshme edhe për ndikimin mbi ekonominë dhe njerëzit e zakonshëm. Disa vëzhgues parashikojnë kolaps total të ekonomisë ruse herët a vonë, me kufizimet mbi bankën qendrore të Rusisë dhe largimin e plotë të kompanive të huaj në thelb. Rubla ka humbur gjysmën e vlerës, normat e interesit janë dyfishuar dhe bursa është mbyllur që nga fillimi i aksionit ushtarak kundër Ukrainës.

Në shumë pjesë të Rusisë janë krijuar radhët e gjata para bankomatëve. Sa gjatë do ta tolerojnë mbylljen e botës së tyre të rinjtë rusë, të pamësuar me shtrëngimet e kohëve të shkuara? Diversiteti i medias sociale, konsumi, udhëtimet janë gjëra që i humbën brenda natës.

Rusët kanë jetuar përmes shumë krizave, përfshirë kolapse financiare, dhe janë më rezistues nga sa do të ishin shumë të tjerë në rrethana të ngjashme. Putin ende mund të shtypë butonët e mbështetjes në forcat e veta dhe thirrjen kombëtare për t’u ngritur përballë persekutimit nga armiqtë perëndimorë, dhe – si pasojë e sanksioneve të imponuara pas aneksimit të Krimesë më 2014 – ekonomia e Rusisë tani është shumë më pak e varur nga importet nga sa ka qenë më parë.

Deri tani, kam pasur tendencën të argumentoj me shumë vëzhgues të Rusisë se kërcënimi më i madh Putinit ka gjasa t’i vijë nga elita dhe brenda mureve të Kremlinit, teksa anëtarët e rrethit të tij të ngushtë llogarisin dëmet që invazioni i ka kushtuar Rusisë dhe interesave të saj kombëtare.

Një lëvizje kundër Putinit mund të përshpejtohet nëse duket që lufta po shkon keq dhe numri i viktimave ruse rritet. Raportimet janë tepër të pasigurta aktualisht për të gjykuar se sa mirë apo keq po shkon Rusia tani, ndërkohë që nuk njihen as objektivat dhe afatet që Rusia i ka vendosur vetes. Perspektiva e një disfate në shkallë të plotë duket se nuk ka gjasa, duke konsideruar superioritetin numerike të Rusisë, por është e vështirë të shohësh se si edhe një pushtim apo vend i shkatërruar mund të arrijë sukses.

Duket edhe se protestat popullore, ndonëse mbresëlënëse, ishin tepër të vogla dhe efektivisht të ndrydhura për të ndikuar për diçka në majë. Por kjo mund të ndryshojë. Një arsye është brishtësia e sistemit financiar; rënia e rublës ka gjasa të pasohet nga inflacioni i madh. Edhe nëse kartat e lëshuara nga bankat ruse vazhdojnë të vlejnë dhe nuk ka mungesa të elementëve bazë, për sa kohë do të tolerohet vdekja e menjëhershme e mundësive për të zgjedhur?

Putin thotë se nuk ka ndërmend të vendosë ligjin ushtarak, ndryshe nga zërat e javës së kaluar. Por disa nga kufizimet e lirisë personale mund të ashpërsohen: jo vetëm shtypja e protestave, por edhe bllokimi dhe patrullimi i rrugëve në Moskë, njerëzit që ndalohen vazhdimisht për t’u kontrolluar telefonat për mesazhe të ndaluara, si dhe bllokimi i lajmeve dhe rrjeteve sociale. Outlete të tillë shërbenin si valvula sigurie për shfryrjen e pakënaqësive, çfarë ndodh kur ato nuk janë më?

Po vendet e punës të humbura nga mbyllja e kompanive të huaja dhe ortakëve të tyre lokalë? Apo kur të mbyllen dyqanet, raftet të zbrazen dhe bizneset lokale të kenë humbje? Ka pasur raporte të izoluar – ndonëse duket shumë herët që të ketë pasur efekt – për protesta nga punonjës që nuk po paguhen si pasojë e humbjeve të shkaktuara nga sanksionet. Do të ishte e parakohshme të vije në dukje se si një luftë e dështuar, shtrëngesa ekonomike dhe pakënaqësia politike në të kaluarën janë bashkuar e kanë përmbysur regjime, me revolucionin bolshevik si një shembull klasik. Ndonëse duket si gjë e largët, prapë mbetet diçka që ia vlen të kujtohet.

Marrë Spectator.co.uk-Përgatiti: SYRI.net