Dinamo fiton 'derbin' e mbijetesës, Mihana 'zhyt' në krizë Skënderbeun

Dinamo ia ka dalë të fitojë 1-0  “derbin e mbijetesës” ndaj Skënderbeut në Korçë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Kategorinë Superiore.

Ndeshja nisi mjaft mirë për blutë e kryeqytetit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e dytë, falë golit të shënuar nga Redon Mihana.

Dinamovitët e dominuan totalisht pjesën e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta, Skënderbeu “ndryshoi” fytyrë, por nuk ia doli të realizonte golin e barazimit.

Ndërsa edhe në këtë takim në stadiumin Skënderbeu ka pasur skena dhune, me tifozët që qëlluan arbitrin anësor, ngjarje e përsëritur kjo.

Pas kësaj sfide Dinamo renditet në vend të tetë me 23 pikë, teksa Skënderbeu vijon të qëndrojë i fundit me 17 pikë të grumbulluara në 24 ndeshje dhe në të njëjtën kohë shkon në 12 ndeshje pa fitore.