VIDEO-SYRI TV/ Deputetët kryqëzojnë Bashën: Ik! Shkatërrove partinë

Një pjesë e madhe e deputeteve i kanë kërkuar Lulzim Bashës të jap dorëheqjen dhe të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike. Humbja në zgjedhjet lokale të 6 marsit në të 6 bashkitë, ka shkaktuar debate të forta në mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Deputetet përveç largimit kanë propozuar edhe zgjedhje te reja brenda PD, ndërsa Gjekmarkaj ka dhënë dorëheqjen nga pozicionet brenda PD

Pjesa dërrmuese e anëtareve te grupit parlamentar të Partisë Demokratike i kane kërkuar Lulzim Bashës që të japë dorëheqje dhe të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Humbja në zgjedhjet lokale të 6 marsit në të 6 bashkitë, ka shkaktuar debate të forta në mbledhjen e grupit parlamentar të PD. Ferdinand Xhaferraj, Dash Sula, Ilda Dhori dhe Helidon Bushati janë disa nga deputetët që i kanë kërkuar Lulzim Bashës dorëheqjen.

Edhe Agron Gjekmarkaj kërkon largimin e Bashës dhe bërjen e zgjedhjeve të reja, madje ai ka marrë vendim dhe ka dhënë dorëheqjen për funksionet që mbante brenda PD, duke mbetur tani vetëm deputet i thjeshtë. Por edhe pas gjithë këtyre kërkesave  Lulzim Basha ka vazhduar me refrenin e tij se nuk ka humbur asnjë garë elektorale, por se e kanë vjedhur. Përsëritja e kësaj deklarate nga Basha është konsideruar fyerje nga deputetët Ferdinand Xhaferraj dhe Dash Sula.

“Jam më i vjetri dhe me eksperiencë, s'kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Ti na ke fyer kur thua s'kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar”, është shprehur Xhaferraj.  Më pas Dash Sula i ka jep mundësinë Bashës që t’i japë një zgjidhje situatës: “Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu”, është shprehur Sula.

Më tej ai ka shtuar se ka dhënë shumë për PD duke shtuar se mandati i tij s’ka vlere pa demokratet. “Nëse shërben mandati im për PD dhe bashkimin e demokratëve, e vë në dispozicion që të jap dorëheqjen qysh ne këtë moment”, thekson Sula.

Ilda Dhori ka kërkuar largimin e Bashës dhe zgjedhje në parti. “Të hapen zgjedhjet në parti. Duhet të ikësh, duhet të hapet gara në PD”, është shprehu Dhori.

“Duhet të jemi përtej egos, e shkatërruat PD. Duhet të ikësh. Duhet Kongres pajtimi. Të bashkohemi! Duhet Kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa”, është shprehur deputeti i Shkodrës, Helidon Bushati. Ndërsa Gjerkmarkaj ka kërkuar  ngritjen e një komisioni dhe PD të shkojë në zgjedhje të reja.

Ndërsa Lefter Gështenja i ka kërkuar Bashës të bëjë një hap pas në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë.

“Nuk mund të vazhdohet me kështu, duhet reflektim i thellë nga të gjithë, nga ju i pari, duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD. Nëse na dhimbset vërtete PD, duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratët janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren, janë larguar nga strukturat e PD, shkojmë vetëm për fushata, nuk mund te vazhdohet kështu”, është shprehur Gështenja

Më pas Lulzim Basha i ka ofruar dy alternativa deputetëve: ose do të qëndrojnë se bashku dhe të bëjnë riorganizim, ose sipas tij t’ia dorëzojnë Sali Berishës që sipas Bashës e do PD për t'u mbrojtur nga ‘non-grata’. Në një moment të mbledhjes Lulzim Basha u ka kërkuar deputetëve që të heqin telefonat, kjo për shkak të publikimit te informacioneve nga brenda mbledhjes në media.