Policia nuk gjen gëzhoja/ Kush është i riu që tha se e qëlluan me armë, i shpëtoi ekzekutimit dy vite më parë

Një 43-vjeçar nga Lezha njoftoi ditën e djeshme policinë se disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.

Denoncimi është bërë rreth orës 14:15 nga shtetasi Aleksandër Deda. Sipas tij, në afërsi të një lokali, persona të paidentifikuar qëlluan me armë në drejtim të tij, por nuk ka marrë asnjë dëmtim.

Pasi policia shkoi në vendngjarje, nuk janë konstatuar gëzhoja armësh. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë.

Informacionet e policisë nuk përputhen plotësisht me denoncimin e 43-vjeçarit, por uniformat blu po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 14: 15, shtetasi A.D.,43 vjeç, banues në Lezhë ka njoftuar se në afërsi të një lokali në dalje të qytetit të Lezhës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, i cili nuk ka marrë asnjë dëmtim.

Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe gjatë këqyrjes ss vendit të ngjarjes dhe krehjes së zonës nuk kanë konstatuar gëzhoja.

Grupi hetimor vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për gjetjen dhe fiksimin e çdo provë që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Atenati i parë:

Aleksandër Deda i ka shpëtuar një atentati të mirëmenduar në dhjetor të vitit 2020 në aksin Lezhë-Milot. Autorët e plagosjes, e ndoqën 43-vjeçarin ngado që shkonte, dhe në momentin kur qarkullonte në aksin e vjetër Lezhë-Milot, zonë jo shumë e banuar, ata kanë qëlluar ndaj Dedës nga makina tip “Audi”.

42-vjeçari ka manovruar dhe ka shtuar shpejtësinë duke i shpëtuar breshërisë vetëm me plagë, ndërsa ka shkuar vetë deri në afërsi të Spitalit të Lezhës me makinën e tij. Më pas duke parë gjendjen kritike, Spitali i Lezhës e ka transportuar në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Pasi dështuan për ta ekzekutuar, autorët janë larguar me shpejtësi duke djegur makinën vetëm disa minuta më pas pranë rrugës kryesore në fshatin Zejmen.

Brenda “Audi”-it të autorëve u gjet edhe një armë zjarri, ndërsa targa ishte hequr. Aleksandër Deda është një emër i njohur në qytetin e Lezhës, ndërsa kohët e fundit po ndërtonte një lokal në shëtitoren e Drinit. Policia ende nuk ka një pistë konkrete, ndërsa pritet që të marrë dëshminë e vetë shënjestrës së këtij atentati. Shërbimet e Policisë Lezhë dhe FNSH-ja po krehin zonën si dhe ngritën pika kontrolli menjëherë pas ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, në vendin ku ndodhi ngjarja burimet thanë se nuk ka pasur ndonjë person tjetër të pranishëm. Ata thanë se do të mblidhen të gjitha pamjet e sigurisë që mund të gjenden në bizneset që ndodhen në zonën e ngjarjes, çka mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.