Union Financiar Tiranë – Western Union transferta me komision zero drejt Ukrainës

Union Financiar Tiranë (UFT) agjenti i Western Union në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Zvicër dhe Kroaci i bashkohet Western Union Co dhe institucioneve financiare vendase e ndërkombëtare duke dënuar agresionin e paprovokuar të Rusisë dhe duke shprehur qëndrimin e vet në krah të popullit të Ukrainës. 

Gjithashtu në këtë kuadër, UFT i është bashkangjitur nismës së Western Union i cili ka vendosur të mundësojë transferta me komision zero drejt Ukrainës si shprehje e solidaritetit dhe mbështetjes për popullsinë e këtij vendi.

UFT, me qëllim përballimin kudo dhe kurdo të pasojave të luftës, vlerëson se shërbimet e dërgesave të parave janë një kanal shumë i rëndësishëm për ofrimin e mbështetjes financiare për familjet ukrainase, si të atyre që qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ashtu edhe të atyre që janë zhvendosur për shkak të luftimeve. 

Shërbimi i transfertës së parave Western Union me komision zero do të jetë i vlefshëm për transfertat drejt kartave, llogarive bankare dhe për dërgesat në formën e tërheqjeve cash.

Transfertat me komision zero drejt llogarive bankare dhe për tërheqjet cash do të jenë të vlefshme deri në datën 31 mars 2022. 

Shërbimi i transfertave të parave me komision zero në drejtim të Ukrainës do të jetë i vlefshëm në të gjithë rrjetin e UFT në Shqipëri, si dhe në të gjitha shtetet ku UFT zhvillon aktivitetin e tij.