Më 7 mars 1895, u nda nga jeta gjuhëtari Kostandin Kristoforidhi

Më 7 mars të vitit 1895, u nda nga jeta gjuhëtari Kostandin Kristoforidhi.

Veprimtaria e tij e ngjeshur në rrafshin e gjuhësisë, dha doemos kontribut të dallueshëm në zhvillimin e kulturës dhe të arsimit në Shqipëri. Në këtë optikë që i jepte përparësi rolit të gjuhës amtare në zgjimin kombëtar, Kristoforidhi u angazhua gjithashtu edhe në radhët e lëvizjes kulturore, politike dhe shoqërore të Rilindjes.

U lind në Elbasan më 22 maj 1827. Pasi kreu mësimet fillore në vendlindje, u zhvendos drejt Janinës për të ndjekur gjimnazin “Zosimea”. Në vitin 1857, iu drejtua Stambollit, ku edhe hartoi një memorandum për gjuhën shqipe.

I qendroi fund e krye bindjes së tij lidhur me rëndësinë e kultivimit të gjuhës dhe përparimit të arsimit në drejtim të shtetformimit. Kësisoj, për dy vjetë radhazi, 1867-1868, iu dedikua botimit të Abetares në dy dialektet, gegërisht dhe toskërisht (shiko dokumentin bashkëngjitur më poshtë). Kryevepra e padyshimtë e gjuhëtarit është “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, një gurrë e njëmendtë e shqipes me rreth njëzetmijë fjalë dhe kuptime fjalësh.

Në vitin 1882, botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë”. Në punimin “Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta” (1860), paraqiti disa nga idetë e rilindësve për autonominë e Shqipërisë, si edhe për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve. Qe autor i prozës “Gjahu i malësorëve”, dorëshkrimi i së cilës gjendet në AQSH dhe i është nënshtruar restaurimit.

Kristoforidhi dha një ndihmesë të madhe për themelimin e gjuhës letrare kombëtare, në sajë të përkthimeve të shumta. Përkthimi i tij i parë në gegërisht qe “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve”. Në vijim, përktheu “Psallmet” (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), “Dhiata e re” (gegërisht 1869, toskërisht 1879), “Të bërët dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Bleni i dytë” (toskërisht 1882) dhe “Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë” (toskërisht 1884).