Spahia: Më 6 mars votoni për opozitën e vërtetë, jo fasadën që shkon nga humbja në humbje

Kandidati i koalicionit opozitar 'Shtëpia e Lirisë' për Bashkinë Shkodër, Bardh Spahia, deklaroi në mbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 marsit se është i bindur që do të fitojë.

Spahia tha se këto zgjedhje nuk janë thjesht lokale por edhe thellësisht politike. Duke iu referuar Lulzim Bashës, i cili shkon nga humbja në humbje, Spahia tha se më 6 mars do votohet për opozitën e vërtetë, dhe jo atë fasadë që shet interesin e qytetarëve.

“Do vendosim të dielën a do të mbetet Shkodra zemra e demokracisë tonë. Vendimet do merren me shkodranët, në interesin e tyre. Kjo fitore duhet të jetë për të gjithë qytetarët, në veçanti për rininë. Do punojmë së bashku që Shkodra mos të zbrazet nga të rinjtë. Nga qyteti i papunësisë, duhet të bëhemi kryeqendra e zhvillimit teknologjik.”-tha Spahia.

Bardh Spahia i bëri thirrje shkodranëve që të votojnë të dielën e 6 marsit për lirinë, demokracinë dhe shpresën për të ardhmen.

“Do ofroj një model të ri, s’ka privilegj më të madh për mua se t’i shërbej Shkodrës. Nuk shikoj ngjyrat e partive politike, por Shkodrën e përbashkët. Forca jonë është tek bashkimi ynë. Shkodra është frymëzimi dhe qëndresa e të parëve për të përmirësuar jetën tonë. Nga Velipoja në majët e Dukagjinit të behemi bashkë për ndryshimin e madh dhe më pas në gjithë Shqipërinë. Shkodrës i duhet vota juaj për ‘Shtëpinë e Lirisë’. Të mbajmë rininë me shkollim dhe punësim.”-tha Spahia.

Ndër të tjera Bardh Spahia tha se e kemi jetike të votojmë më 6 mars për opozitën e vërtetë, për të mos e zëvëndësuar opozitën e vërtetë me një fasadë opozitë që vetëm di të humbasë dhe të shesë interesin e qytetarëve.

“Të shpëtojmë Shkodrën dhe të mbajmë me dinjitet shpirtin e saj të lirisë. Është nder dhe përgjegjësi që të përfaqësojë shpresat dhe besimin e shkodranëve. Krenar që për kaq pak kohë ndërtuam bashkimin me njerëzit që duan lirinë dhe demokracinë. Më 6 mars kemi mundësi të jashtëzakonshme për të mos rënë në dëshpërim. Shkodra nuk dorëzohet. Fitore.”-tha Spahia.