Prova e madhe, që do na tregojë Ilir Metën e vërtetë

Pamjet live të asaj mbledhjeje ku diskutohej për fatin e Reformës në Drejtësi në Kuvend, kur Fatmir Xhafaj “ja mblodhi” Ilir Metës do të mbahen mend gjatë. Ky i fundit që është mësuar që nga koha kur ka qenë kryeministër, të ketë eksluzivitetin e “trashjes së zërit”, heshti i kapur në befasi nga tonit plot arrogancë i Fatmir Xhafajt.

U zbyth më saktë, duke treguar edhe njëherë, që është lojtar i fortë pragmatist. Nga ana tjetër, shumëkush u habit nga ai turfullim i egër, i burrit të qetë dhe të përmbajtur, Fatmir, dhe kjo ndoshta e ka kapur edhe Metën në befasi. Por për të gjithë ata që e njihnin mirë delfinin e Ramës të ngarkuar me mision të posaçëm për uzurpimin përfundimtar të sistemit të drejtësisë, në fakt ajo ishte natyra e tij e vërtetë, që e kishte fshehur me kujdes thellë në karakter, që nga koha kur hidhte me shpejtësi hapat e karrierës si hetues në Krujë.

“Mos ma ngre zërin mua. Mos ma ngri. Kam 3 vjet që ju dëgjoj me qetësi dhe dashuri. Dashuria ka ikur, të paktën ruaj qetësinë”. Ky shfrim kërkon një shpagim, nga Ilir Meta. Dhe koha ka ardhur. Jo që i majti Ilir, ish student i dhjetorit, ish-kryeministër, të hakmerret për fyerjen dhe prozvaljen publike që ju bë. As sepse i ka ardhur zari në dorë, për ti treguar atij dhe ustait të tij Edi Rama, se një skrapaliu si ai, nuk i trashet zëri…Por sepse koha e Ilir Metës, për të treguar se cili është edhe ai në të vërtetë, ka ardhur dhe madje po mbaron. Fati i tij si një politikan perëndimor, tragjikisht është i lidhur sot me atë të Fatmir Xhafajt.

 “Dekonspirimi” i këtij të fundit, si një shërbëtor  devotshëm i diktaturës, si një xhelat politik, e madje edhe më keq; një egërsirë antihumane, vë në provë Ilir Metën “parimor”, që ai ka ndërtuar me mund ndër vite.

Dekonspirimi i njeriut që shkatërroi Reformën në Drejtësi; vëllai i një supertrafikanti droge ndërkombëtar; hetues politik i diktaturës; me karakter ç`njerëzor, ka vetëm një varkë shpëtimi në dispozicion. Ajo është vota e Ilir Metës me të tijtë në parlament. Çfarë do të bëjë, do japë viston që Fatmir Xhafaj të bëhet qoftë edhe për pak muaj, pak ditë në fund të fundit, ministër i Brendshëm?

Edi Rama e ka provokuar, me provën më të rëndë, ndoshta e fundit për atë se si do ta shohim Metën në të ardhmen. I ka vendosur Fatmir Xhafën përball, si një pasqyrë. Çfarë do të shohë Meta aty? Do ta ketë vallë guximin që të heqë syzet që mban “për hir të stabilitetit” të koalicionit dhe kostumin e ambasadorit të OSBE-së, që i pëlqen aq shumë dhe të shohë aty, shkatërruesin e Reformës, një pjesëtar të familjes së krimit organizuar, një antinjeri? Apo do ulë kokën, do bëjë sikur nuk ka fare pasqyrë përballë dhe do vërtetojë që etiketimi, “patericë e Edi Ramës” është jo vetëm i vërtetë, por edhe kompliment, për atë që mund të jetë thellë-thellë, Ilir Meta i vërtet.

Koha po vjen; Rama po pret…edhe të gjithë ata, që ende besojnë se pragmatizmi i Ilir Metës, ka një vijë të kuqe, përtej të cilës nis politikani perëndimor dhe dinjiteti njerëzor!  

/Syri.net/