‘Është ‘zemra’, duhet të vazhdojë të rrahë’, Zelensky: Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur se mbrojtja e kryeqytetit, Kievit, është prioriteti kryesor për shtetin.

“Kharkovi dhe Kievi janë aktualisht objektivat më të rëndësishëm për Rusinë. Terrori ka për qëllim të na thyejë. Të thyejë rezistencën tonë. Ata po shkojnë drejt kryeqytetit, si dhe në Kharkiv”, tha ai në një mesazh në Facebook, duke shtuar: “Prandaj, mbrojtja e kryeqytetit sot është prioriteti kryesor për shtetin. Kievi është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Kjo është zemra e vendit tonë. Dhe duhet të vazhdojë të rrahë. Dhe do të vazhdojë të rrahë, në mënyrë që jeta të triumfojë.”

Në mesazhin e tij për ukrainasit, Zelensky e përshkroi gjithashtu sulmin e së martës në sheshin qendror në Kharkiv si një akt terrori.

“Ky është terror kundër qytetit, ky është terror kundër Kharkiv, terror kundër Ukrainës. Nuk kishte asnjë objektiv ushtarak në shesh. Raketa në sheshin qendror është një terror i hapur, i pa maskuar. Askush nuk do të falë. Askush nuk do të harrojë. Sulmi në Kharkiv është një krim lufte”, tha ai.

Presidenti ukrainas u bëri thirrje gjithë vendve të botës që ti përgjigjen “kësaj taktike kriminale të agresorit dhe të deklarojnë se Rusia po kryen terrorizëm shtetëror”.

“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve të botës që t’i përgjigjen menjëherë dhe me efikasitet kësaj taktike kriminale të agresorit dhe të deklarojnë se Rusia po kryen terrorizëm shtetëror. Ne kërkojmë përgjegjësi të plotë për terroristët në gjykatat ndërkombëtare”, tha Zelensky.