Shkroi historinë në Champions League, trajneri ukrainas zbret në fushën e betejës

Yuri Vernidub bëri histori shtatorin e kaluar kur mundi 2-1 Real Madridin në Santiago Bernabeu me Sherifin moldav dhe trajneri ukrainas vështirë se mund ta merrte me mend se vetëm disa muaj më vonë do të luftonte, me armë në dorë, për të shpëtuar vendin e tij nga sulmi rus.

Historia e tij në rrjetet sociale u zbulua nga Gustavo Dulanto, lojtari dhe kapiteni i Sherifit, i cili postoi në rrjetet e tij sociale:

"Zoti e ruajtë trajnerin tim Yuri-n, i cili shkoi në Ukrainë", me një foto që tregon trajnerin ukrainas me uniformë ushtarake së bashku me dy luftëtarë të tjerë nga forcat e armatosura të Ukrainës.

Kujtojmë, në raundin e dytë të Grupit D të Champions League, futbollistët e Sherifit mundën Real Madridin në Santiago Bernabeu 2-1, duke e bërë kampionin moldav sensacionin më të madh në historinë e Champions League.

Moldavët e përfunduan grupin në vendin e tretë pas Realit dhe Interit. Në play-off-et e Europa League u eliminuan nga Braga pas goditjeve të penalltive.

Vernidub u emërua trajner i Sherifit më 18 dhjetor 2020. Ai fitoi titullin në sezonin e tij të parë në klub dhe më pas udhëhoqi ekipin e tij në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, që është hera e parë që klubi moldav arrin një të tillë.