A do i përdorë Putini armët bërthamore?

Nga Dan Sabbagh, GUARDIAN

Çfarë tha Vladimir Putin për armët bërthamore ruse?

Presidenti rus thirri ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit ushtarak, Valery Gerasimov, në një takim publik të dielën dhe i urdhëroi që të ‘vendosin forcat e parandalimit’- një referencë për armët bërthamore- ‘në gjendje lufte’.

A kanë fjalët e Putinit ndonjë kuptim specifik ushtarak?

Megjithëse kërcënimi diplomatik ishte mjaft i qartë, fraza e saktë i ngatërroi ekspertët bërthamorë dhe ministritë e mbrojtjes, që nuk e kuptuan se çfarë nënkuptonte vendosja e tyre në gjendje lufte. Por pati një marrëveshje se kërcënimi, edhe pse ishte rritur, sërish mbetej në nivel të ulët.

Pavel Podvig, i konsideruar gjerësisht si ekspert kryesor i forcave bërthamore ruse, postoi një mesazh ku thuhet se ‘urdhri i Putinit me shumë gjasa do të thotë që sistemi i komandës dhe kontrollit bërthamor mori atë që njihet si komanda paraprake’. Kjo do të thotë që sistemi është ndezur, duke lejuar që të kalojë një urdhër lëshimi nëse del një i tillë.

Ai shtoi se kjo do të thotë se armët bërthamore mund të lëshohen nëse presidenti eliminohet ose nuk mund të jetë i arritshëm, por shtoi se kjo ndodh vetëm në rastin kur pikaset një shpërthim bërthamor në territorin rus.

David Cullen, nga Shërbimi i Informacionit Bërthamor, tha se kjo është në një farë mënyre analoge me sistemin britanik, ku komandantëve të nëndetëseve bërthamore Trident u jepen letrat e mundësisë së fundit, të nënshkruara nga kryeministri, me udhëzime se si duhet të veprohet nëse Britania e Madhe shkatërrohet nga një sulm i gjithanshëm bërthamor.

Si Podvig, edhe ekspertë të tjerë si James Acton, analist bërthamor në institutin Carnegie, thanë se urdhri i Putinit mund të sjellë gjithashtu ndryshime të mëtejshme operacionale. Kjo mund të përfshijë dërgimin e nëndetëseve bërthamore në det ose shpërndarjen e raketave bërthamore me rreze të gjatë nëpër territorin rus, nga ku mund të përdoren teorikisht.

Por kjo mund të mos jetë domosdoshmërisht rasti, shtoi Podvig, duke pasur parasysh se shprehja e Putinit ishte qëllimisht e paqartë.

Çfarë mendojnë qeveritë perëndimore?

Ben Wallace, sekretar i mbrojtjes në Britaninë e Madhe, tha se ata nuk i njohin termat që përdori Putini. “Ky nuk është një term në doktrinën e tyre,” tha ai për BBC. Sipas tij, masa e marrë ka për qëllim që të trembë Perëndimin dhe synon t’i kujtojë botës se ka një pengesë. “Ky ishte një shpërqendrim për të siguruar që Perëndimi të flasë për këtë, në vend të mungesës së suksesit të Putin në Ukrainë”.

Ai paralajmëroi se Rusia, teorikisht, mund të përdorë të ashtuquajturat armë bërthamore taktike në luftën kundër Ukrainës. Por ky do të përbënte një përshkallëzim masiv- dhe akoma të pamundur- kundër atyre që Putin i ka përshkruar si ‘një popull’ me rusët.

“Ato mund të jenë po aq të fuqishme sa bombat e Hiroshimës dhe Nagasakit, shumica e njerëzve thonë se nuk ekziston diçka e tillë si një armë bërthamore jostrategjike,” tha Sebastian Brixey-Williams, një bashkëdrejtor i institutit Basic.

A ka thënë gjë Rusia më shumë për të sqaruar veten?

Kishte një sinjal nga vetë Kremlini të hënën se deklarata e Putinit ishte kryesisht një formë e diplomacisë së niveleve të larta. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se vendimi erdhi si përgjigje ndaj paralajmërimeve të ndryshme perëndimore se mund të ketë përplasje dhe luftime mes NATO-s dhe Rusisë. Ai shtoi: “Nuk do i jap emrat e atyre që i kanë thënë këto deklarata, megjithëse ishte ministri i Jashtëm britanik”.

Matthew Harries, një specialist bërthamor në grupin e ekspertëve Rusi, tha se deklaratat ishin një paralajmërim i një tjetër lloji. Ishte në radhë të parë një frikësim i hapur. “Ne mund t’ju lëndojmë dhe lufta me ne është e rrezikshme”. Si dhe një kujtesë për Perëndimin, që po i armatos gjithmonë e më shumë ukrainasit, që të mos shkojnë shumë larg. “Mund të jetë që Rusia po planifikon një përshkallëzim brutal në Ukrainë dhe ky ishte një paralajmërim për Perëndimin që të qëndrojë jashtë,” tha ai.