Ministri ukrainas thirrje rusëve: Mos ndiqni urdhra kriminale. Ja çfarë iu ofrojmë nëse ulni armët

Ndërkohë që në çdo moment raportohet për shpërthime dhe viktima në Ukrainë, ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, u ka thënë ushtarëve rusë se nëse ulin armët, për ta do të ketë amnisti të plotë dhe kompensim financiar.

“Ju që nuk dëshironi të bëheni vrasës dhe të vdisni, mund të ruani veten”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetet sociale, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Më tej në thirrjen e tij, ministri thotë: Jeni sjellë në tokën tonë për të vrarë. Ata prej jush që nuk duan të bëhen vrasës dhe të vdesin, mund të shpëtojnë veten.

Mos ndiqni urdhrat kriminale të atyre që ju kanë gënjyer për vite me radhë për Ukrainën dhe ukrainasit.

Ne ju garantojmë amnisti të plotë dhe kompensim financiar nëse ulni vullnetarisht armët.

Ukraina është një vend i civilizuar. Të gjithë të burgosurit janë të sigurt, po ndihmohen. Ata tashmë komunikojnë me të dashurit. Ju keni një shans për të filluar një jetë të re”.