Edhe klubet ruse pezullohen nga FIFA dhe UEFA, ja vendimi drastik që u mor sot

FIFA dhe UEFA kanë marrë një vendim zyrtar kundrejt Rusisë. Kombëtarja e Rusisë dhe të gjithë ekipet ruse janë pezulluar nga të gjithë garat sportive ndërkombëtare.

Vendimet u miratuan sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të qeverisë botërore dhe evropiane të futbollit.

Pas vendimeve fillestare të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat parashikonin miratimin e masave shtesë, FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare përfaqësuese apo ekipet e klubeve, do të pezullohen nga pjesëmarrja në kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s deri në një njoftim të dytë.

Një goditje e madhe kundrejt futbollit rus, që vjen si pasojë e pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Vendimet

Përfaqësuesja e Rusisë nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2022 dhe si rrjedhojë, nuk do të jetë pjesë e ndeshjeve të play-off të saj në muajin mars.

Rusia nuk do të zbresë në fushë përballë Polonisë në ndeshjet play-off të muajit mars, ndërsa edhe UEFA pritet të zyrtarizojë bashkërisht vendimin që Spartak i Moskës të përjashtohet nga ky edicion i Ligës së Europës, ku javën e ardhshme duhej të përballej me RB Lajpcig.