VIDEO/ Berisha: Rama protestoi me fotot e Enverit kundër NATO-s! Sot në kohë lufte jemi të sigurt

Lideri historik i PD, Sali Berisha zhvilloi këtë pasdite një takim me banorët e Dojmes, së bashku me kandidatin e koalicionit opozitar 'Shtëpia e Lirisë', për kryetar bashkie në Vorë, Lulzim Vrana. 

Berisha iu referua konfliktit në lindje, pas agresionit ushtarak nga Rusia drejt Ukrainës, duke deklaruar se falë anëtarësimit në NATO gjatë qeverisjes së PD, Shqipëria është e sigurt. 

Ish-kryeministri akuzoi Edi Ramën se protestoi me fotografitë e Enver Hoxhës, kundër anëtarësimit në NATO. 

"Rruga nuk ka qenë e thjeshtë po vota juaj, besimi juaj u shndërrua në një zhvillim të vërtetë për vendin në vitet e qeverisjes së PD. Ajo u shndërrua në një transformim të paparë të infrastrukturës së vendit, nga Rruga e Kombit deri në 11 mijë km rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Dyfishuam rrogat dhe pensionet. Në rritje të shpresës për të rinjtë tanë që të ndërtojnë në Shqipëri të ardhmen e tyre.

U shndërrua në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ju e mbani mend, ditën e anëtarësimit të vendit, Edi Rama do të organizonte në Tiranë mitingjet e protestës me fotografitë e babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, në protestën kundër NATO-s.

Sot, ajo mbështetje juaj, ai anëtarësim në një kohë lufte për Europën e bën territorin e Shqipërisë në një territor të garantuar nga aleanca më e fuqishme e të gjitha kohërave e udhëhequr nga SHBA", u shpreh Berisha.