Lufta në Ukrainë, flet Lewandowski: Çdo gjë që është e bukur në sport bie ndesh me atë që sjell lufta

Kapiteni i kombëtares polake të futbollit, Robert Lewandowski, ka folur për luftën në Ukrainë që së fundmi është sulmuar nga Rusia. Sulmuesi i Bayern Munich ka bërë të ditur qëndrimin e tij përmes rrjeteve sociale.

 Ai u shpreh se çdo gjë që është e bukur në sport është në kundërshtim me atë që sjell lufta.

" Çdo gjë që është e bukur në sport bie ndesh me atë që sjell lufta. Për të gjithë njerëzit që vlerësojnë lirinë dhe paqen, kjo është një kohë solidariteti me viktimat e agresionit ushtarak kundër Ukrainës. Si kapiten i Kombëtares, do të flas me bashkëlojtarët e mi për ndeshjen me Rusinë, në mënyrë që së bashku të përcaktojmë një qëndrim për këtë çështje dhe t'ia paraqesim presidentit të Federatës Polake të Futbollit sa më shpejt të jetë e mundur ”, ka shkruar Lewandowski.

Gjithashtu këtë të premte, UEFA vendosi që për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, ndeshjet ndërkombëtare që përfshijnë kombëtaren e këtyre vendeve dhe klubet vendase do të luhen në një terren neutral.

Rusia është rivali më i afërt i Polonisë në play off-et e Kupës së Botës 2022. Ndeshja është planifikuar të zhvillohet më 24 mars në Moskë.