Lufta në Ukrainë/ Avenir Peka: Agresion i paprecedent, përgjigja e Perëndimit e vakët

Eksperti i sigurisë Avenir Peka, i ftuar në emisionin Ora 19:00 në Syri Tv, komentoi agresionin rus në Ukrainë dhe impaktin e mundshëm në Ballkan.

Avenir Peka theksoi se agresioni rus është i paprecedent, duke shtuar se përgjigja e Perëndimit është e vakët.

“Agresioni rus është i paprecedent. Përgjigja nga Perëndimi ka qenë i vakët. Mund të themi sot se BE nuk ekziston, forca kryesore në NATO janë SHBA, që nuk janë në pozicionin e duhur sa i përket mbrojtjes së Ukrainës, sidomos me armatim. Historia mes Rusisë dhe Ukrainës është mijëra vjeçare, Ukraina është shtet i pavarur. Putin ka thënë se qeverinë ukrainase do ta dënojë për gjenocid.

Pse do bisedohet në Bjellorusi? Që atje Putin të kapë lidershipin ukrainas? Perëndimi nuk e ka furnizuar me armatim vetëmbrojtës Ukrainën. Të rrezikuara nga sulmi rus janë edhe vende të tjera lindore e ky agresion duhet ndaluar. Ne si Shqipëri e Ballkan, nga pikëpamja ushtarake besoj jemi të mbrojtur, por e dimë se është Serbia këtu, elementë pro-rusë ka edhe në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut etj e janë rrezik natyrisht”, deklaroi Avenir Peka.