Sean Penn shkon në mes të luftës në Ukrainë për të xhiruar dokumentar mbi pushtimin rus

Aktori dhe humanisti ka shkuar në Kiev dhe është takuar me zyrtarë dhe ushtarakë ukrainas. 

Aktori Sean Penn është në terren në Ukrainë duke bërë një dokumentar për pushtimin rus, konfirmoi Vice Studios për Variety të enjten, pasi Rusia filloi një sulm në shkallë të plotë ndaj fqinjit të saj.

Ylli fitues i çmimit Oskar dhe aktivisti humanitar prej një kohe të gjatë, u shfaq në Kiev në një konferencë shtypi të qeverisë ukrainase të enjten, duke dëgjuar zyrtarët e qeverisë që flisnin për krizën që shumë liderë botërorë po e quajnë konfliktin më të keq në Evropë që nga viti 1945.

Sean Penn e kishte vizituar Ukrainën edhe në nëntor të vitit 2021 për të bërë kërkime për filmin. Vizitat e tij në ushtrinë ukrainase u dokumentuan nga shërbimi i shtypit i operacionit të Forcave të Përbashkëta Ukrainase, që u postuan në mediat sociale në atë kohë.

Sipas Newsweek, Penn mbërriti në Kiev në fillim të kësaj jave dhe u takua me zëvendëskryeministren Iryna Vereshchuk, si dhe me gazetarë vendas dhe zyrtarë të ushtrisë.

Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy lëshoi ​​një deklaratë përmes ambasadës ukrainase për ta përshëndetur aktorin dhe regjisorin, i cili “erdhi posaçërisht në Kiev për të regjistruar të gjitha ngjarjet që po ndodhin aktualisht në Ukrainë dhe për t'i treguar botës të vërtetën për pushtimin e Rusisë, të vendit tonë”.

“Sean Penn është ndër ata që e mbështesin Ukrainën sot në Ukrainë. Vendi ynë i është mirënjohës atij për një shfaqje të tillë guximi dhe ndershmërie”, thuhet në deklaratën e përkthyer.

Deklarata gjithashtu thoshte se Penn "po demonstron trimërinë që u ka munguar shumë të tjerëve, në veçanti disa politikanëve perëndimorë. Sa më shumë njerëz të tillë – miq të vërtetë të Ukrainës, që mbështesin luftën për liri – aq më shpejt mund ta ndalojmë këtë pushtim të tmerrshëm nga Rusia”.

Kjo nuk është hera e parë që Penn e vendos veten në qendër të një krize. Aktori 61-vjeçar drejtoi dokumentarin e vitit 2020 të “Discovery Plus” Citizen Penn rreth procesit të krijimit të Përpjekjes së Ndihmës të Organizuar nga Komuniteti (Core) pas tërmeteve shkatërruese në Haiti në vitin 2010. Core gjithashtu ndihmoi në vendosjen e ekipeve për testimi dhe vaksinimi për Covid-19 gjatë pandemisë.

Në janar 2016, Penn publikoi një intervistë ekskluzive - dhe shumë të debatueshme - me mbretin meksikan të drogës Joaquín "El Chapo" Guzmán në “Rolling Stone”. Udhëtimi i fshehtë i Penn për të vizituar liderin e kartelit Sinaloan, i cili u arratis nga burgu në vitin 2015, kontribuoi në arrestimin e tij nga autoritetet meksikane./ar.sh/SYRI.NET

Foto nga vizita e fundit këtë shkurt

Fotot më poshtë nga vizita e parë në nëntor 2021