'Implikimet e shumëfishta ekonomike të agresionit rus ndaj Ukrainës'

Nga Kujtim Dobruna, udhëheqës i Nismës Ekonomike për Kosovën në Vjenë

Implikimet e para ekonomike të agresionit rus ndaj Ukrainës do të jenë të shumëfishta. Rusia është prodhues i madh i naftës dhe gazit natyror.

Çmimi i naftës tashmë ka kaluar vlerën prej 105 USD për fuçi (1 fuçi = 159 litra) dhe ai i gazit natyror vetëm sot është rritur për 30 %.

Çdo eskalim i mëtejmë i luftës do të ndikojë në rritjen e këtyre çmimeve.

Rritja e çmimit të naftës ndikon në rritjen e kostos së transportit, që menjëherë reflektohet në çmimet e mallrave tjera dhe lëndës së parë.

Nëse nga agresioni rus dëmtohen gazsjellësit apo portet detare në Detin e Zi, atëherë do të paraqiten vështirësi në furnizim, gjë që do ndikojë edhe më tutje në rritjen e çmimeve.

Njëkohësisht, Rusia është eksportuese e madhe edhe e nikelit, aluminit dhe palladiumit, ndërsa bashkë me Bjellorusinë ndër eksportuesit kryesorë të kripës së potasiumit, një elementit të rëndësishëm për prodhimin e plehrave artificiale.

Rusia dhe Ukraina së bashku janë ndër prodhuesit kryesor të grurit, çmimi i të cilit është rritur sot për 20 %.

Rezultati i menjëhershëm është një rritje e inflacionit, ndoshta dyshifror, që në shumicën e vendeve perëndimore para agresionit rus vetëm kishte arritur vlerat mes 5 e 9 %.

Kjo do të paraqesë një problem shtesë për bankat qendrore, në veçanti për Bankën Qendrore Evropiane, e cila edhe ashtu ndodhet para dilemës të rrisë apo jo normat e interesit, për të vënë inflacionin nën kontroll.

Një rritje e normave të interesit, do të rriste barrën e borxhit sovran për shtetet si Italia, Greqia, Spanja, etj., do të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë e tyre fiskale dhe ekzistencën e Eurozonës në përgjithësi.

Vendi ynë duhet të rrisë urgjentisht nivelin e rezervave shtetërore, të rrisë subvencionimin e bujqve për mbjelljen e grurit në vjeshtën 2022 dhe për të gjitha produktet bazike bujqësore, që mund të kultivohen tek ne.

Krahas kësaj, duhet një koordinim i thellë me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, në mënyrë që të sigurohen rezerva të mjaftueshme ushqimesh dhe lëndësh të para, përfshirë naftën dhe derivatet e saj, për dy vitet e ardhshme.

Lufta ka ardhur në Evropë, ne duhet përfundimisht të zgjohemi nga letargjia.