Dorëzohen ushtarët rusë, Ukraina kap robërit e parë të luftës, shkatërrohen tanke e helikopterë

Dorëzohen ushtarët e parë rusë në territorin e Ukrainës. 

Forcat ushtarake ukrainase kanë kapur robër disa ushtarë pushtues të cilët i përkisnin skuadriljes së tankeve të cilët i ishin futur në rajonin e Kharkiv, në veri të Ukrainës. 

Pamjet janë shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës. Janë shkatërruar tanke dhe helikopterë rusë. 

Gjithashtu, autoritetet e Ukrainës raportojnë për 50 ushtarë rusë të vrarë në qytetin Schastya. 

Sakaq, më herët janë rrëzuar 5 avionë dhe 1 helikopter rus nga sistemi mbrojtës i Ukrainës.  

Kievi thotë se Rusia ka kryer në territorin e Ukrainës 203 sulme me raketa dhe avionë bombardues. 

Autoritetet ruse pretendojnë se në fokus të sulmeve të tyre janë bazat ushtarake, por nga pamjet e publikuara tashmë në të gjitha mediat ndërkombëtare, faktohet se janë bombarduar edhe spitale, apartamente e shtëpi banimi. Raportohet se në mesin e viktimave ka dhjetëra civilë. 

Mëngjesin e sotëm Rusia nisi pushtimin e Ukrainës me urdhër të Vladimir Putin, ndërkohë që faktori ndërkombëtar ka dënuar agresionin e Kremilit dhe kanë paralajmëruar pasoja të rënda për Rusinë.