Ti je ‘non grata’ ime!

Nga Meri Lika

Nuk më vjen aspak mirë që në vendin tim të vogël sa një pikë uji në oqean, sot pas 30 vjetësh shpresa e vetme është Sali Berisha. Nuk më vjen aspak mirë që përballë tij sot, janë vetëm disa politikanë të korruptuar të cilët vendi yt i madh, i ka tredhur dhe i fut në morsë sa herë që do dhe i duhen.

Kur plaçkitja bëhet një mënyrë jetese për një grup njerëzish që jetojnë në një shoqëri, ata krijojnë për vete, me kalimin e kohës, një sistem ligjor që e legjitimon dhe një kod moral që e glorifikon atë.

Frederic Bastiat

Në librin e tij “Shkatërrimi i kombeve. Arma globale amerikane e zhvilluar në Bolivi”, Juan Carlos Zambrana M. Shkruan: “Ndërhyrja amerikane vazhdon të ushtrohet në mbarë botën në një mënyrë shumë më të sofistikuar se në të kaluarën. Kjo është vërejtur, për shembull, në Brazil, Venezuelë, Ukrainë, në vendet e të ashtuquajturës pranverë arabe dhe në shumë vende të tjera të botës ku vazhdojnë të zbatohen proceset e shkatërrimit të kombit, disa prej të cilave kanë nisur në fillim të dekadës së viteve pesëdhjetë, duke kaluar tashmë nëpër faza të ndryshme të ndërhyrjes dhe shkatërrimit, deri në arritjen e fazës së shkatërrimit fizik të atyre kombeve. Por është gjithashtu e qartë se këto procese shkatërrimi ndodhin pa mundur që këta popuj ta lidhin gjithë atë realitet me shkaqet e tij origjinale, të cilat mbeten të fshehura në tufat e historive të rreme. Duke bërë një krahasim midis shkaqeve dhe efekteve që shohim tani, mund të vizualizohen vendet në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë që nga viti 1950, bazuar në listën e vendeve në të cilat ajo arriti të prezantojë programet e saj të ndihmës, të cilat më vonë u përqendrua në atë që tani njihet si USAID. Nëse vendi i lexuesit të këtij libri është në këtë listë me më shumë se njëqind vende (përditësuar më 20 korrik 2015 dhe marrë nga faqja zyrtare e USAID-it), ka shumë të ngjarë që ai vend të jetë aktualisht në një proces të fshehtë të shkatërrimi kombëtar:

Afganistani, Shqipëria, Angola, Armenia, Azerbajxhani, Bangladeshi, Bjellorusia, Benini, Bosnja dhe Hercegovina, Botsvana, Brazili, Burkina Faso, Burma, Burundi, Kamboxhia, Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore, Çadi, Kina, Kolumbia, Republika e Afrikës Qendrore, Bregu i Fildishtë, Kuba, Qipro, Republika Demokratike e Kongos, Xhibuti, Republika Domenikane, Ekuador, Egjipt, El Salvador, Etiopi, Gjeorgji, Gana, Guatemala, Guinea, Guajana, Haiti, Honduras, Indi, Indonezi, Irak, Xhamajka, Jordani, Kazakistan , Kenia, Kosovë, Kirgistan, Laos, Liban, Lesoto, Liberi, Libi, Maqedoni, Madagaskar, Malavi, Maldive, Mali, Mauritania, Meksikë, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Mozambik, Namibi, Nepal, Nikaragua, Niger, Nigeri , Pakistan, Panama, Paraguaj, Peru, Filipine, Republika e Kongos, Ruanda, Senegal, Serbia, Sierra Leone, Somali, Afrika e Jugut, Sudani i Jugut, Sudani, Sri Lanka, Sëaziland, Siri, Taxhikistan, Tanzani, Tajlandë, Timorin Lindor , Tunizia, Turkmenistani, Uganda, Ukraina, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Jemeni, Zambia dhe Zimbabve.

Fakti që një vend nuk figuron në këtë listë nuk do të thotë se ai ka mundur të shmangë ndërhyrjen e SHBA-së, pasi nuk përfshin vende si Bolivia dhe Rusia, viktima në të kaluarën, të cilat të paktën arritën të çliroheshin nga një pjesë e asaj ndërhyrje, duke dëbuar USAID-in.”

Zhvillimet e fundit në Shqipëri ku ambasadorja e Shteteve të Bashkuara ka kaluar çdo kufi e ka shkelur çdo traktat me ndërhyrjet e saj të paprecedente, më bëjnë të jem e prirur të besoj të gjithë këtë që është shkruar më sipër, dhe të mendoj se po është e vërtetë që vendi im është në listën e kombeve që duhet të shkatërrohen.

Nisur nga ky besim unë më duhet të them se ti Yuri Kim, je “Non Grata” ime. Ti që u ndriçove e zbukurove pasi shkele këtë tokë të bekuar dhe më vërtetove totalisht memen se askush nuk është i shëmtuar por thjesht nuk është i pasur.

Ti që erdhe si një vejushë e veshur me të zeza por, sa hap e mbyll sytë u shndërrove ne një yll Hollywood-i me veshjet gjithë pranverë.

Ti që brodhe e shëtite bukuritë e vendit tim me oligarkë, gazetarë e me politikanë të korruptuar.

Ti që u “zonjërove” me fustan klasik duke më reklamuar James Bond-in krahë atyre të cilët përditë po e vjedhin këtë vend, e buzët e tyre të pështira puthin dorën tënde të zgjatur gjithë delikatesë.

Ti niveli mediokër i administratës së Shteteve të Bashkuara që vjen dhe kërkon të drejtosh përveç jetës së shqiptarëve dhe mendimin e votën e tyre.

Pikërisht ti je NON GRATA ime.

Nuk më vjen aspak mirë që në vendin tim të vogël sa një pikë uji në oqean, sot pas 30 vjetësh shpresa e vetme është Sali Berisha. Nuk më vjen aspak mirë që përballë tij sot, janë vetëm disa politikanë të korruptuar të cilët vendi yt i madh, i ka tredhur dhe i fut në morsë sa herë që do dhe i duhen.

Nuk më vjen aspak mirë, që vendi im i vogël, të cilin nuk e shkatërroi dot asnjë hordhi, por ruajti gjuhën, zakonet dhe tokën e tij, sot po zbrazet. Po zbrazet pikërisht nga ata të cilët nuk do të të lejonin ty të na përdhosje e të na përdorje si gur bilardoje por, do të të tregonin vendin e të shkoje andej nga ke ardhur me gjithë “klasin” dhe mendimin tënd shterp.

Nuk më vjen aspak mirë që ndërsa ti ndërhyn në punët e brendshme të vendit tim, qeveria im të cilën ne e mbajmë me taksa, nuk reagon por hesht epikisht sepse shpreson të jetë përjetësisht në pushtet.

Do të doja që ja ashtu me “klas”, pas deklaratës tënde ditën që filloi fushata, ku na kërkoje të votonim Lulin ose Ramën, e gjithë media të të konsideronte NON GRATA dhe të të bojkotonte.

Do të të dëshiroja që pas asaj deklarate, asnjë mikrofon të mos të afrohej pranë kamares tënde, që asnjë kamer të mos ndizej përpara surratit tënd, që asnjë shqiptar të mos bënte më resme me ty, e kështu ti do kuptoje se çdo të thotë të jesh NON GRATA nga një popull e jo nga një qeveri.

Edhe pse je duke u zhgërryer përditë në krahët e korrupsionit politik, ende nuk ta paskan thënë se shqiptari është “kokë derr”, e kur dikush kërkon ta komandojë ashtu si po përpiqesh të bësh ti, pikërisht atëherë ai bën të kundërtën dhe unë uroj që në 6 mars, populli im të të tregojë se ti je një NON GRATA jo vetëm për mua.