Putin u thotë rusëve se siguria është e panegociueshme

Mes raportimeve për më shumë trupa ruse që po afrohen drejt kufijve të Ukrainës, Presidenti Vladimir Putin ka këmbëngulur se interesat dhe siguria e Rusisë janë të panegociueshme.

Ai dha një mesazh me video, disa orë pasi Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi për "fillimin e një pushtimi rus". Rusia ishte gjithmonë "e hapur për dialog të drejtpërdrejtë dhe të ndershëm", tha ai, por ai kishte besim të plotë tek ushtria.

Perëndimi ndërkohë, sipas BBC, ka njoftuar një sërë sanksionesh ndaj interesave ruse. "Ne kemi shkëputur qeverinë e Rusisë nga financimi perëndimor," tha Presidenti amerikan Biden, pasi dhoma e lartë e parlamentit rus autorizoi presidentin të dërgonte trupa në dy pjesë të Ukrainës lindore të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Putin deklaroi më herët se Rusia kishte njohur pavarësinë e të ashtuquajturave republika popullore të Luhanskut dhe Donetskut, duke urdhëruar trupat ruse në këto zona dhe duke prishur një marrëveshje paqeje me Ukrainën.