VIDEO-SYRI TV/ Berisha: Deklaratë e Kim, e diktuar nga lobimi korruptiv

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi gjatë emisionit Çim Peka Live në Syri TV se qëndrimet e ambasadores Yuri Kim janë të diktuara nga lobime korruptive. Ish-kryeministri theksoi se Yuri Kim është e kapur nga Edi Rama dhe Xhorxh Soros dhe ka shkelmuar në mënyrë vulgare Konventën e Vjenës dhe parimet e zgjedhjeve të lira.

Zoti Berisha foli edhe për rolin e Lulzim Bashës, i cili, siç tha ai, është peng i dosjeve ‘Muzin’ e ‘Toyota Yaris’.

Berisha tha se komisioni hetimor për incineratorët është i trukuar dhe e cilësoi takimin e deputetes Jorida Tabaku me drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, si miniaturë e takimit të 17 majit mes Lulzim Bashës e Edi Ramës.

Berisha tha se Edi Rama dhe Lulzim Basha në të vërtetë janë duke bashkëqeverisur dhe solli shembujt e emërimeve në Autoritetin e Mediave Audiovizive si dhe aferën për Portin e Durrësit.

Ish-kryeministri foli edhe për fushatën intensive të këtyre ditëve dhe u shpreh se Shtëpia e Lirisë pretendon të fitojë të 6 bashkitë për të cilat do të votohet në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.