Sherri nisi për një femër/ I plagosuri në Mamurras, vëllai i Enver Divës

Dy persona mbetën të plagosur rëndë pas një përplasje të armatosur në Mamurras në orët e para të mëngjesit. Burime zyrtare bëjnë të ditur se të plagosur kanë mbetur shtetasit Gentian Diva, 40 vjeç, banues në Fushë-Mamurras dhe Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës. Policia arrestoi pas ngjarjes 19-vjeçarin Andi Diva, nipi i njërit prej të plagosurve, ndërsa në banesën e tij u gjet dhe një armë.

Autorët e dyshuar të plagosjes të shpallur në kërkim nga policia janë Kastriot Lleshaj dhe Armando Lleshaj, kushërinj me njëri-tjetrin.

Konflikti ka nisur pasi dy kushërinjtë Lleshaj kanë ngacmuar një vajzë që ishte në praninë e të plagosurve. Fillimisht ata kanë debatuar me njeri-tjetrin dhe kur Gentian Diva me nipin e tij Andin dhe 39-vjeçarin Skonja po largoheshin me makinë, kushërinjtë Kastriot dhe Armando Lleshaj kanë qëlluar me armë duke plagosur dy prej tyre. Të dy ata janë shpallur në kërkim nga policia.

Por përgjigje me zjarr ka pasur dhe nga pala e dëmtuar, ndërsa 19-vjeçari Andi Diva është kapur në flagrancë me armë nga policia. Arma e përdorur prej autorëve të dyshuar nuk është gjetur nga policia.

40-vjeçari Gentian Diva, që mbeti i plagosur në konfliktin e orëve të para të mëngjesit të sotëm në Mamurras, është vëllai i Enver Divës, i arrestuar si i implikuar në vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në Durrës.

Në qershor të vitit të kaluar, Diva ra në pranga së bashku me  Besian Xhixhën si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve dhe sipas dosjes hetimore, janë takuar para vrasjes me Nuredin Dumani që dyshohet se është porositësi i ekzekutimit.

Por edhe Gentian Diva rezulton person me precedent penal, i dënuar me 25 vite heqje lirie dhe që nuk ka shumë kohë që ka lënë qelinë. Ai u akuzua për një vrasje të shumë viteve më parë në Mamurras, krim të cilin nuk e ka pranuar.

Gentian Diva u arrestua në vitin 2000 së bashku me Arben dhe Nazmi Divën si dhe me Astrit Lleshin, pasi në vendin e njohur si Ura e Drojës në Mamurras, kanë grabitur me armë duke lënë të vdekur shoferin e një kamioni që udhëtonte drejt Kukësit.

Diva u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lezhës me 25 vite heqje lirie, dhe pas dy vitesh arratiset nga komisariati i Lezhës. Për shkak të ngarkesës në atë kohë të qelive të burgjeve, ai mbahej në ambientet e paraburgimit në Lezhë, por që më pas u arrit të kapej dhe të vuante dënimin.