VIDEO/ Këlliçi: Ministrja austriake ishte zhgënjyer, Veliaj e kishte mashtruar

Gazeta e njohur austriake, Der Standard, ka publikuar së fundmi një reportazh nga Tirana, që këtë vit do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Por që në titull, gazeta pikas paradoksin. ​'Tiranës, kryeqytetit të rinisë, po i ikën rinia,' - shkruan gazetarja Antonia Ruth.

Sipas saj, gjenerata e re e do integrimin evropian, por udhëheqja politike e vendit nuk e çon vendin para. 

Për të folur më shumë në lidhje me këtë fenomen, ishte sot i ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

"Të vjen keq në nivelin e mashtrimit ku mund të bjerë një politikan i ri, por të vjen keq edhe kur shikon në gjithë mediat ndërkombëtare, këtë dis-balancë mes realitetit dhe raporteve dhe marketingut që bën qeveria.

Mbrëmë, jam kthyer nga një takim me të rinjtë e Partisë Popullore Europiane dy ditor në Romë, ku takova ministren e Austrisë për rininë, Claudia Plakolm, e cila pak më herët ka takuar kryetarin e bashkisë Tiranë dhe të vjen keq se nuk di as si të reagosh në këto raste kur dëgjon se: Ore si ka mundësi, takuam kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe vetëm fliste, tregonte se çfarë kishte bërë për Tiranën dhe ndërkohë dolëm në Tiranë dhe nuk pamë asgjë nga gjërat që po na tregonte dhe shifnim vetëm njerëz në moshë të madhe.

Por pse ikin nga Shqipëria nëse Shqipëria do të ishte kaq mirë dhe nëse Tirana vërtet do të ishte kryeqyteti i ëndrrave? Fakti që po ikën elita e rinisë, si infermierët dhe të diplomuarit në mjekësi, për çdo të ri që largohet, ekonomia jonë tkurret. Ok, të rinjtë ikin për më mirë, por realisht është e vështirë t'ia dalësh në Tiranë, edhe të rinjtë që kanë një rrogë mesatare apo çiftet e reja ku të dy partnerët punojnë, nuk mund t’ia dalin dot në kryeqytet.

Në radhë të parë, janë çmimet e apartamenteve të cilat janë të papërballueshme.

Është e papërballueshme për një të ri të krijojë një familje, të marrë një shtëpi, të mbajë një makinë të vogël, të bëjë pushime njëherë në vit, sepse dy herë mund të quhet luks dhe të arrijë të përballojë, larg qoftë një emergjencë shëndetësore. Dhe këto që them janë nevoja bazike dhe nuk ja del dot, le më, për të pasur një standart jetese më të lartë", u shpreh Këlliçi.