EMRI - Tregtar minash/ Do shiste 3 copë me telekomandë, prangoset korçari

Janë sekuestruar 3 mina me telekomandë nga policia e Korcës.

Sipas njoftimit të policisë është vënë në pranga 1 shtetas.

U arrestua në flagrancë i shtetasit Ilir Burbuqi, banues në Korçë.

Ja njoftimi i plotë i policisë:

DVP Korçë

Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar "Remote", i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme "Shqiponjat", nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Sekuestrohen 3 mina me telekomandë.

Vihet në pranga 1 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme "Shqiponjat", nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar "Remote", si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. B., banues në Korçë.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga forcat e policisë shtetasit I. B., iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".