Rrethohen nga Policia në një fshat të Fierit, 4 trafikantë droge në pazar e sipër, iu ekzaminohen armët

Katër trafikantë droge janë arrestuar në momentin kur po bënin blerjen e saj në fshatin Fermë Çlirim të Fierit. Të arrestuarit janë Bledar Duraj, Rozvelt Kumaraku, Izmir Genica dhe Kismet Genica, banorë të fshatrave Kurjan dhe Dërmenas.

Policia e Fierit kishte marrë informacion se disa persona që zotëronin një sasi kanabisi, do të bënin shitjen e saj dhe për kapjen e tyre, organizoi operacionin “Dërmënasi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i Bledar Durajt, 34 vjeç dhe i Rozvelt Kumarakut, 38 vjeç të dy nga Kurjani si dhe i Izmir Genicës, 30 vjeç dhe KKismet Genicës, 24 vjeç, nga Dërmenasi.

Të katër janë arrestuar gjatë operacionit në fshatin Fermë Çlirim, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. 

Policia filloi edhe procedimin penal për L.G, 29 vjeç, banues në Dërmënas, pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu.

Policia e Fierit tha se u sekuestruan një armë gjahu, municion luftarak, 1.3 kg lcannabis sativa, 1 peshore elektronike për peshimin e lëndës narkotike, shuma 100.000 lekë të rinj me të cilën do blihej lënda narkotike, 3 automjete, 7 aparate celulare dhe 2300 euro që u gjetën gjatë kontrollit në banesat e shtetasve të arrestuar. 

Po gjatë operacionit, Policia bllokoi dhe dy armë zjarri pistoleta, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Megjithatë, operacioni vazhdon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Dosjet e tyre i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.