Shkoza në protestë/ Devijimi i projektit, banorët kundërshtojnë deklaratat e Ballukut

Banorët e Shkozës kanë protestuar edhe këtë të diel kundër njoftimit për shembjen e banesave të tyre si pasojë e devijimit të projektit të “Unazës së Madhe” që tashmë pritet të prekë shumë banesa në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Devijimi i projektit ka ndodhur në segmentin Shkozë-Kodra e Priftit, duke rrezikuar 40 banesa, ndërkohë që me projektin fillestar shembeshin vetëm 7 të tilla.

Më herët Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ka mohuar që të ketë një devijim, duke thenë se po punohet sipas një projekti të vitit 1986, dhe se banorët kanë vazhduar të ndërtojnë edhe pse ishin në dijeni të projektit.

Por në fakt realiteti është krejt ndryshe.

Banorët jo vetëm që nuk kanë ndërtuar në zonën ku ishtë parashikuar projekti i mëparshëm, viti i saktë i të cilit është 1988 i parashikuar nga Adil Çarçani, por përkundrazi e kanë lënë bosh hapësirën ku kalonte gjurma fillestare e tij.

Por ndër vite projekti është devijuar vazhdimisht, derisa arriti të rrezikojë shembjen e banesave, që prej më shumë se 20 vitesh janë ndërtuar në këtë zonë.  

Pjesa më e madhe e shtëpive në këtë zonë janë ende në proces legalizimi, ndërsa njoftimi që kanë marrë banorët ka qenë i ngjashëm me atë të Laprakës apo të 5 majit, që preken nga ky projekt që ka filluar nga Astiri e më pas do kalojnë në Paskuqan e deri në Kodrën e Priftit.