Tre modelet e fushatës së 6 marsit!

Teksa kemi hyrë zyrtarisht në 14 ditëshin e fushatës elektorale, në këto zgjedhje të pjesshme duket se do të përballemi me tre modele.

Modeli i vjedhësit të zgjedhjeve është ekskluziv ai i Edi Ramës. Duke mos pasur asnjë respekt për votën,  kohë pas kohe ka vërejtur se i mjafton të fusë dorën në thesin e votave dhe mund të qëndrojë në pushtet. Kjo jo vetëm sepse përballë ka një kundërshtar të plogësht, të përgjumur dhe që joshet shpejt nga korrupsioni që ofron pushteti, por edhe e përkrahjes së ndërkombëtarëve të cilët kur vjen puna për të denoncuar vjedhjet në zgjedhje, tregohen mjaft apatikë, për shkaqe të ndryshme që mbeten për tu diskutuar. Aq shumë është maisur ky fenomen, sa në këtë vend po rrezikohet sistemi pluralist, dhe instalimi i një rregjimi,  i cili  pasi ka shtënë në dorë të gjitha insititcionet në këtë vend, komandon me një lehtësi të paimagjinueshme dhe manipulimin e votës. E thënë më shkurt, Rama e di fort më mirë se kur ti vijë momenti, mjafton një urdhër ushtrisë së tij të drejtorëve në administratë, për të kryer masakrën e radhës ashtu si do dhe aty ku do.

Modeli i Lulzim Bashës, është tipik modeli parazit i liderit. Eshtë parë qartë se megjithëse fushata do kryhet kryesisht në qarqe, ai vjen vërdallë nëpër Tiranë, apo duke organizuar tryeza të lodhura  me grupe interesi të sajuara, siç ishte ajo e së premtes në Durrës.  Duket sikur dhe Basha vetë ka humbur çdo shpresë se do të bëhet ndodnjëherë kryeministër me anë të votës, dhe shpreson tek ndonjë proçedurë apo pehlivanllëk i zonjës Yuri Kim, me qëllim që t’a katapultojë në vend të Ramës. Një ide me nuanca psikopatie të atij që nuk ndan dot fantazinë nga realiteti. Për sa i përket votës së demokratëve, më mirë se çdo kush flasin sondazhet ku Basha nuk arrin të mbledhë dot as 10 % të atyre që PD ka pasur dhe në ditën më të keqe të saj.

Shpresa e vetme bazohet në faktin se fanatikët do vijojnë të votojnë PD-në, pavarësisht se çfarë bën apo se çfarë thotë ai, e cila do ishte një ide ofenduese për çdo kënd. Nga ana tjetër ai e di fort mirë se në bazën demokrate, që është dhe kollona kryesore e asaj partie, pas këtyre që kanë ndodhur, ai ka aq pëlqim sa mund të ketë dhe Taulant Balla. Kjo e bën të fshihet pas siglave e vulave apo kockave  që shpërndan sa andej këtej, për të mbajtur pas vetes atë grusht njerëzish që i kanë mbetur, siç është rasti i emërimeve në AMA, apo atyre farë ekspertëve që kemi parë nëpër tryezat e reformës territoriale, apo reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi.

Po modeli i i Sali Berishës?

Në këto zgjedhje, ish kryeministri është i vetmi që ka dalë të kërkojë votën e qytetarëve. Pavarësisht se është politikan arrivist, i duhet mëshuar dhe faktit se Berisha jo vetëm që  kështu është mësuar të bëjë fushatë, por njeh mirë dhe mentalitetin e votuesit.

Përgjatë kohës që ai ka drejtuar PD-në, kjo lloj sjelljeje ka pasur dy anë të medaljes. Ana e saj e mirë është se  ka ditur të fitojë zgjedhjet, por ka pasur dhe anën tjetër, pasi prodhoi dhe parazitë që prisnin çdo gjë nga doktori. Shembulli më i mirë është ish kryetari i PD-së.

E megjithatë, pa dashur të futemi në patetizëm, në këto zgjedhje të pjesshme, dalja e Sali Berishës në fushatë është gjëja më pozitive që ka ndodhur.  Kjo sepse, pas 25 prillit u duk sikur mbetëm vetëm me dy alternativa që ishin zgjatime të njëra tjetrës. Pra, Edi Rama që joshte Lulzim Basha që pranonte, duke rrezikuar të futeshim në një qerthull, ku rezultati i çdo zgjedhjeje dihej që pa nisur.

“Shtëpia e Lirisë” me Berishën  diti të sjellë në një lloj forme garën që kishte munguar. Pavarësisht  se në pamje të parë mund të duket si atavizëm i fushata të dikurshme të PD-së, duhet pranuar se është i vetmi lider që po tregon besim tek vota.  Herën e parë e tregoi me primaret dhe tashmë me takimet e dhe në zonat më të thella, siç ishte takimi në Kala të Dodës, ku as Basha dhe as Rama nuk e dinë se nga bie.

Parë në këtë prizëm, banorët e atyre gjashtë bashkive ku do zhvillohen zgjedhjet, kanë shansin të bëhen zëri i ndërgjegjes qytetare kundër pushtetit. Por kjo në asnjë rast s’do të thotë se votën duhet t’a adresojnë te fake opozita e Bashës.  Ai me të padrejtë ka përvetësuar siglën por vetëm kaq. Me shpirtin opozitar nuk e lidh asgjë.