‘Broja është kërcënim për kundërshtarët’/ Trajneri i Southamptonit vlerëson dyshen e sulmit

Emri i tij ka kohë që përmendet mes kandidatëve për të marrë drejtimin e Manchester United, por Ralf Hazenhytel vazhdon të këmbëngulë se nuk mendon për një gjë të tillë dhe është i lumtur te Southamptoni.

Hazenhytel po bën një punë të shkëlqyer te “Shenjtorët”, të cilët renditen në mes të klasifikimit me vetëm 1 humbje në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Sfida e nesërme me Evertonin është e para nga 4 ndeshjet në shtëpi që “Shenjtorët” do të luajnë në kampionat dhe Kupë.

Pasi ekipi i tij u mori pikë dy Manchesterëve dhe mundi Tottenhamin në transfertë, austriaku kërkon përqendrim nga lojtarët: “Jemi në një formë të mirë. Kemi luajtur disa ndeshje të forta javët e fundit. Humbëm vetëm me Wolvesin dhe pjesa tjetër ishin shumë të forta, City, Tottenhami dhe United. Fakti që nuk humbëm është pa dyshim një hap përpara. Por, kjo nuk do të thotë se tani jetën do ta kemi më të lehtë. Me skuadrat që do të na vizitojnë ti mendon se do të jetë më e lehtë, por nuk është kështu”.

Një nga temat që ai preku ishte edhe partneriteti i Brojës dhe Adamsit në sulm që po shkon shumë mirë.

Të dy kanë shënuar nga 6 gola në kampionat dhe kanë qenë titullarë në tri ndeshjet e fundit ku skuadra nuk është mundur:

“Normalisht që dy sulmues të mëdhenj në fushë nuk është gjithnjë gjëja më e mirë mendoj. Por, ata kanë cilësi të ndryshme vrapimi dhe po ndihmojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Tani kemi dy kërcënime”, tha tekniku i Southamptonit.