Pesë ditë afat Manastirliut t'u rikthejë energjinë familjeve rome, ku foshnjat po ngrijnë

Ditën e sotme, familjaret e qytetit të Kavajës që nuk furnizohen me energji elektrike që prej një muaji, me mbështetjen e organizatës së tyre "Drejtësi Sociale" protestuan përpara Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së drejtuar nga Ogerta Manastirliu.

Gjatë protestës u zhvillua një takim me një përfaqësi nga qytetarët dhe organizatat me Zv/Ministren përgjegjëse - nga ku u konkludua se ata do të negociojnë me bashkinë e Kavajës dhe OSHE-në për zgjidhjen e kësaj problematike konkrete si dhe marrjen e hapave konkretë për inicimin e VKM-së.

Nga ana e qytetarëve, Ministrisë u la një afat kohor prej 5 ditësh, që t'i jepet zgjidhje konkrete problemit të tyre dhe në rast se kjo nuk ndodh, organizimin do ta përshkallëzojnë duke protestuar përpara Kryeministrisë në ditët në vijim, njoftoi organizata.

Organizimit iu bashkuan qytetarë nga qyteti i Lezhës, Fierit dhe Elbasanit, Tiranës, të cilët ndajnë të njëjtën problematikë me këto familje të Kavajës si dhe organizatat Aksion Komunitar Fuqizim dhe Organizim Komunitar - CEO Levizja Rinore Egjyptiane & Rome, Qendra Treja, Qendra Për Advokim Social që prej vitesh sëbashku me Drejtësi Sociale advokojnë për miratimin e VKM-së, në zbatim të ligjit "Për sektorin e energjisë elektrike"