Mehmeti: I kemi marrë masat për Vllazninë, Suka duhet të punojë në aspektin taktik

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka dalë në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme kundër Vllaznisë, ku u shpreh: “Do bëjmë maksimumin, i kemi marrë masat. Do jetë e vështirë, por shpresojmë që këtë ndeshje të fitojmë meqë kemi kohë pa fituar. Unë jam fokusuar te skuadra tani. E kam parë edhe më parë me Dajën. Ai kishte atë filozofi loje. Çdo trajner ka profilin e vet. Jam munduar t’i aktivizoj lojtarët në pozicionet e tyre dhe të krijojmë filozofinë tonë të lojës, duke u përshtatur edhe me kundërshtarët”.

“Skuka sakrifikoi me Skënderbeun. Kishte probleme fizike. Skuadra është e rëndësishme dhe ai është një sulmues, që bën diferencën me golin. Kemi pasur ekuilibër, përveç ndonjë momenti ku nuk u vendosëm mirë. Skuka duhet të rritet, se e ka potencialin. Ka nevojë të koordinohet më mirë në aspektin taktik se është shumë lojtar individual”.

“Të gjitha skuadra të imponojnë respekt. Ka pak diferenca mes skuadrave. Do bëjmë maksimumin, do i shohim ndeshjet javë pas jave. Ne jemi Partizani dhe mendoj se edhe ato do e kenë të vështirë për ne. Skukën do e shohim sot me stafin, për të parë a do të luajë. Kemi tre javë që luajmë çdo 3-4 ditë.

Jemi munduar ta menaxhojmë skuadrën në aspektin fizik, si me pjesën e ngarkesave, ashtu edhe me dëmtimet. Sërish do kemi ndeshje çdo 4-5 ditë. Duhet menaxhuar mirë i gjithë grupi. Duhet ekuilibër për të plotësuar mungesat që mund të kemi”.

“Duke pasur parasysh të dyja skuadra, që bëjnë futboll të hapur, shpresojmë të ketë interesim të madh të tifozëve tanë dhe t’i kënaqim me lojë e rezultat. Vllaznia të jep hapësira dhe me lojë të mirë shpresojmë të arrijmë edhe rezultat”.

“Moto kryesore ka qenë t’u jap besim lojtarëve. Duhet të kenë besim te njëri tjetri, te forca e grupit. Jemi Partizani dhe duhet të përmirësohemi çdo ditë. Nuk kemi kohë më të bëjmë hapa fals. Nuk ka ndeshje të lehta. Normalisht tani kemi ndeshje me shkallë vështirësie më të lartë dhe shpresojmë të tregojmë forcën tonë”.