Vendimi për Metën/ Ironia e Bushatit: Kushedi sa është fyer SHBA

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin të mos e shkarkojë Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës.

Kërkesa për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës u depozitua në Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, pas miratimit të raportit të ngritur nga komisioni hetimor. Me datën 9 maj, dy javë pas zgjedhjeve të 25 prillit, Kuvendi i Shqipërisë, miratoi me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme. Kjo kërkesë u depozitua më 1 korrik, rreth 7 muaj më parë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në vendim arsyeton se nuk ka gjetur shkelje të rënda të kushtetueses për shkarkimin e Ilir Metës.

“Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës,” njoftoi Kushtetuesja.

Ndërkohë analisti Andi Bushati reagoi me ironi.

“Pas këtij vendimi të Kushtetueses kushedi sa të fyera do ndihen SHBA dhe disa vende të NATO-s që gjykata nuk i shpëlau dot nga fyerjet e rënda të Metës.

E bukur do jetë nesër me këta sahanlëpirësit shqiptarë, që do vajtojnë për nderin e nëpërkëmbur të botës atlantike,” shkruan ai.