Vendimi për Metën/ Pollo: Gjyqtarët i rezistuan presionit qeveritar

Ish-deputeti i PD-së dhe ish-ministri Genc Pollo thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin nga Kuvendit të Presidentit Ilir Meta, duke e lënë atë në krye të shtetit shqiptar deri në mbarimin e mandatit, është i drejtë dhe korrekt. Sipas ish-ministrit, gjyqtarët kushtetues që votuan pro vendimit “i rezistuan presionit të shumanshëm të qeverisë”.

REAGIMI I PLOTE

Gjykata Kushtetuese vendosi të refuzojë mazhorancën mujshare. Kërkesa për të shkarkuar Presidentin e Republikës u refuzua si pa bazë, pa thelb dhe pa argument.

Një vendim i drejtë e korrekt që duhet përshëndetur.

Raporti 92 faqesh i dyshes Rama-Balla, i miratuar në plenare në qershorin e shkuar nga mazhoranca rilindisto-jeniçere, ishte një paçavure pseudo-juridike. Pa arsyetim ligjor, por plot me nota fejtoneske. Prandaj profesionalisht rrëzimi i saj do të ishte gjë e thjeshtë.

Por gjyqtarët kushtetues që votuan pro vendimit të shpallur meritojnë konsideratë e respekt sepse i rezistuan presionit të shumanshëm të qeverisë. Përmes këtij vendimi ata ruajnë, aq sa është e mundur, balancat kushtetuese të Republikës si dhe krijuan një precedent pozitiv për to.

Ndër të tjera uroj të mos kemi më opozita jeniçere që mundësojnë palaçollëqe të tilla siç kemi parë vjet e sivjet.