Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Rusia ka vendosur 7000 trupa të tjerë në kufirin me Ukrainën

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Rusia ka rritur numrin e ushtarëve në kufirin me Ukrainën me 7000, pavarësisht deklaratave të Kremlinit se po tërheq ushtrinë.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane të paidentifikuar i tha AP se Rusia vazhdon të përhapë pretendime të rreme që mund t'i përdorë si një justifikim për të pushtuar.

Si shembull, ai citoi raportet e Kremlinit mbi varret e civilëve të vrarë nga forcat ukrainase, pretendimet se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina po zhvillojnë armë biologjike dhe kimike dhe se Perëndimi po dërgon guerilas për të vrarë ukrainasit.

Zyrtari nuk dha asnjë provë për pretendimet e tij.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se po tërhiqte disa trupa pas stërvitjeve ushtarake që ngjallën frikën për një pushtim të afërt të Ukrainës dhe publikoi një video të forcave që dyshohet se po largoheshin nga Krimea si provë.

"Ne nuk kemi parë një tërheqje," tha Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken për ABC News.

Ai deklaroi se ushtria është në kufi dhe se presidenti rus Vladimir Putin "mund të tërheqë këmbëzën sot, nesër ose javën e ardhshme".

Maxar Technologies, një kompani komerciale e imazheve satelitore që monitoroi ngritjen e ushtrisë ruse, tha se fotot e reja tregonin rritjen e aktivitetit ushtarak rus pranë Ukrainës, duke përfshirë ndërtimin e një ure ponton në Bjellorusi më pak se gjashtë kilometra nga kufiri ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca gjithashtu nuk e pa "tërheqjen e forcave ruse", siç bëri presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

"Ne nuk shohim asnjë ndryshim. Ne shohim një turmë ushtarësh që nuk ka ndryshuar në javët e fundit," tha Zelenski të mërkurën.