VIDEO/ Franca vazhdon me gafat, himnin e Shqipërisë ia 'këndojnë' Finlandës

Franca nuk ka zënë mend akoma dhe vijon të bëjë gabime trashanike në protokolle. Hera e fundit që francezët djallosën gjithçka ishte ajo ndeshje kundër Shqipërisë që u zhvillua në 4 shtator të 2019. Pikërisht në kualifikueset e Euro 2020, atje ku në vend të himnit të Shqipërisë u vendos ai i Andorrës. Në fund u kërkua ndjesë për gabimin e bërë dhe UEFA vendosi gjobë për “organizimin e gabuar” në atë humbje të Shqipërisë në shifrat 4-1.

E njëjta situatë skandaloze është përsëritur edhe në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme në “Turneun e Francës”. Bëhet fjalë për ndeshjen e futbollit të femrave mes Francës dhe Finlandës. Teksa finlandezet po prisnin himnin e tyre është luajtur i plotë himni i Shqipërisë. Lojtaret e kuptuan gabimin dhe nisën të qeshnin me njëra-tjetrën. Në fund, është e njëjta histori teksa Franca arriti që të fitonte me shifrat 5-0. Rastësi apo jo? Kjo nuk dihet, por në të gjitha rastet, asnjëherë gabimi nuk vjen për himnin e tyre nga francezët, por në të gjitha rastet e djallosin punën kur bëhet fjalë për kundërshtarin.