Kriza në Ukrainë: Pretendimi i rusëve për tërheqje të trupave është mashtrim, thotë SHBA

Pretendimi i Rusisë se po i largon trupat nga kufiri me Ukrainën është "i rremë", tha një zyrtar i lartë amerikan, i cili shtoi se 7000 trupa shtesë kanë mbërritur ditët e fundit.

Zyrtari tha gjithashtu se Rusia mund të lëshojë një pretekst "falso" për të pushtuar Ukrainën "në çdo moment".

Moska tha se po i largonte trupat nga kufiri ukrainas pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.

Por zyrtarët perëndimorë thonë se nuk kanë parë asnjë dëshmi që të mbështeste këtë pretendim.

"Rusia duhet të ndërmarrë hapa të vërtetë drejt çtensionimit," ranë dakord presidenti amerikan Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz në një telefonatë të mërkurën, sipas kancelarisë gjermane.

Rusia - e cila ka mohuar vazhdimisht planin për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit - e quan shqetësimin perëndimor për një pushtim si "histeri".

Ministria e saj e Mbrojtjes ka publikuar imazhe që supozohet se tregojnë trupat dhe pajisjet që kthehen në bazat e tyre të përhershme pas stërvitjeve ushtarake.

Por sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, mijëra trupa të tjera kanë mbërritur në zonë ditët e fundit - duke përfshirë disa edhe të mërkurën.

Duke folur për gazetarët, zyrtari amerikan hodhi dyshime mbi pohimet e Rusisë se "po tërhiqte trupat nga kufiri me Ukrainën".

"Ata morën shumë vëmendje për atë pretendim, si këtu dhe në mbarë botën. Por ne tani e dimë se ishte mashtrim."

Kjo deklaratë erdhi disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha BBC: "Ne nuk po shohim ende ndonjë tërheqje të trupave, vetëm sa kemi dëgjuar për të".

Ai foli në një kohë që Ukraina shënoi të mërkurën të ashtuquajturën “ditë uniteti”, me flamuj kombëtarë blu dhe të verdhë të ngritur në të gjithë vendin.

Presidenti Zelensky e shpalli festën patriotike në përgjigje të raportimeve të shërbimeve sekrete amerikane se Rusia mund të sulmojë Ukrainën atë ditë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë gjithashtu se nuk ka shenja se forcat ruse janë duke u larguar, duke thënë të mërkurën se kërcënimi nga Rusia ishte kthyer në një "normalitet të ri".

Rusia dhe Ukraina kanë lidhje të thella kulturore dhe historike, dhe të dyja ishin pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.

Presidenti rus Vladimir Putin kërkon garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse ai e sheh çdo zgjerim të saj si një kërcënim.

NATO e ka refuzuar këtë kërkesë.

Në fillim të kësaj jave, Putin tha se Rusia nuk dëshiron luftë, por kërkoi që çështja e anëtarësimit në NATO të zgjidhet tani, edhe pse Ukraina është shumë larg nga fillimi i një aplikimi për t'u bashkuar me aleancën.