Atletico Madrid turpërohet në shtëpi, e mposht skuadra e fundit në klasifikim

Atletico Madrid nuk ia del të përmbushë pritshmëritë në fushën e saj teksa në ndeshjen e La Liga-s ndaj Levantes u mposht me rezultatin minimal, 0-1.

Një sfidë e cila ishte pa raste për t’u veçuar në pjesën e saj më të madhe teksa Los Colchoneros u shfaqën të përgjumur, sidomos në pjesën e parë.

Kjo pasi në fraksionin e dytë të besuarit e trajnerit Diego Simeone u tronditën teksa në minutën e 54, Gonzalo Melero me një goditje të fortë brenda zonës mposhti portierin Oblak.

Në vazhdim, Atletico u përpoq të reagonte teksa mundësitë ishin për Llorente, apo edhe Correa.

Ndërkaq, vlen të theksohet se në minutat shtesë, vendasit e gjetën rrugën e rrjetës me anë të Correa, por aksioni u bë i pavlefshëm pas një faulli të shkaktuar në sulm nga Gimenez.

Në anën tjetër, Levante për pak mund të shënonte të dytin teksa Malsa provoi një gjuajtje nga mesfushë e cila u stampua në traversën e Oblak, i cili kishte bërë disa metra para dhe kishte braktisuar kuadratin.

Megjithatë, në atë rast slloveni ishte me fat, por gjithsesi, në fund shifrat nuk ndryshuan dhe Atletico Madrid del kokëulur nga “Wanda Metropolitano”.

Një fakt që vlen të theksohet është se Levante bëhet e para skuadër që e mposht dy herë radhazi ekipin e Simeones në impiantin e ri, diçka që nuk ia ka dalë ta bëjë as Reali apo Barcelona.

Pas kësaj disfate, ekipi kryeqytetas është në vendin e pestë me 39 pikë, ndërsa Levante pavarësisht fitores, mbetet e fundi me 14 pikë.